Pipero i bindur: Pse futbolli duhet lejuar të nisë i pari

Dilema rreth rifillimit të futbollit në vendin tonë është e madhe. Aktorët e lojës më të bukur me top, po presin me padurim rikthimin në fushë, për t’u stërvitur dhe mbyllur sezonin e lënë përgjysmë.

Mjeku i njohur i Spitalit Infektiv në Tiranë, Pëllumb Pipero ka dhënë mendimin e tij në emisionin “Opinion” në TV Klan. Ai thekson se futbolli është i pari që duhet të rikthehet dhe shpjegon se pse risku i infektimit është i vogël.

“Ka shumë pikëpyetje për punën e futbollit, vendimet i marrin institucionet. Nëse do pyetesha unë, do të thosha që ata janë të parët që duhet të lejohen, qoftë për stërvitjen, qoftë për ndeshjet. Natyrisht duke marrë disa masa të nevojshme, që janë të domosdoshme. Që të infektohesh me COVID-19 duhet 15 minuta ekspozim i pandërprerë midis një personi të infektuar dhe një tjetri të painfektuar.

Asnjëherë nuk ndodh, as në stërvitje, as në fushë. Nuk rrinë statik kaq kohë. Po të marrin masa që të dezinfektohen topat e futbollit, të lajnë edhe duart, mund të realizohet. Ky është një mendim që e jep një specialist, vendimet i marrin autoritetet”, thekson mjeku Pipero.