Vlora “sfidon” koronavirusin, qyteti duket si i rikthyer në normalitet

Qytetarët vlonjatë kanë sfiduar në mënyrë të rrezikshme këtë të hënë masat parandaluese dhe ato mbrojtëse ndaj Covid-19.

Shumë banorë të këtij qyteti janë parë në rrugë, shumica e të cilëve pa masa mbrojtëse. Vlora dukej sikur i ishte rikthyer normalitetit të plotë, ndonëse janë në fuqi si masat parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit, ashtu edhe masat ndëshkuese për personat që lëvizin pa lejen e posaçme.

Nuk kanë munguar në këtë dalje masive as personat e moshuar, të cilët janë më të rrezikuarit në këtë situatë.

Një pjesë e tyre mendojnë se janë të shëndetshëm, duke shprehur të njëjtën garanci edhe për shokët me të cilët dalin.

Urojmë që veprime të tilla të qytetarëve të mos ndikojnë në përkeqësimin e rasteve me Covid-19 në qytetin e Vlorës, duke patur parasysh shembujt e hidhur të Shkodrës dhe qyteteve të tjera që injoruan masat parandaluese.