Rezulton negativ ish-nëndrejtori i spitalit të Sarandës me COVID-19
Rezulton negativ ish-nëndrejtori i spitalit të Sarandës, që u arrestua si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës dhe sendeve të paligjshme drejt Greqisë.
Florenc Llanaj, i arrestuar në muajin maj të vitit 2019 nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk është i prekur nga virusi pandemik COVID-19.
Kjo është përgjigja që ka mbërritur në adresë të Gjykatës së Posaçme, ku ISHP-ja konfirmoi se personi që kishte kërkuar lirinë nga qelia me pretendimin se është prekur nga COVID-19, nuk rezulton i prekur.
Analizat e kryera sipas procedurës standard treguar se Florenc Llanaj ishte i shëndetshëm. Për gati një vit, Llanaj ndodhet në qelitë e Burgut 302, por gjatë kësaj periudhe pandemie, ka shfaqur probleme me shëndetin, si temperaturë dhe dhimbje fyti, dhe sipas tij pas gjithë këtyre simptomave, dyshonte se ishte prekur nga COVID-19.
Florenc Llanaj, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për Krime të Rënda, me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, pasi dyshon se është prekur nga COVID-19. Kërkesës së tij për të bërë testin e COVID-19, trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme i është përgjigjur pozitivisht.
Mësohet se gjykata ka urdhëruar stafin e Spitalit të Burgut dhe Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë, që Florenc Llanajt t’i bëjnë testin e COVID-19.
Mirëpo pas testimit të tij me tamponin përkatës rezultoi se Llanaj, nuk kishte asnjë shenjë të virusit COVID-19 në trup. Florenc Llanaj, është një nga 14 të arrestuarit e grupit që transportonin drogë nga Shqipëria drejt Greqisë.
I dyshuari që drejtonte grupin ishte një person nga qyteti i Korçës, Kejdi Sadushi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia në Korçë, pasi në shtetin Helen kishte vuajtur një dënim për trafik droge.