Zgjerimi i hartës së infektimeve me COVID-19, Basha: Të mbyllen fasoneritë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me zgjerimin e hartës së të prekurve me COVID-19 në Kurbin duke i kërkuar qeverisë mbylljen e fasonerive dhe shoqërimin me masa mbështetëse për biznesin.

Në një deklaratë për mediet Basha tha se virusi ka përparuar duke krijuar vatra të reja në disa qytete të vendit. “Në Tiranë, në Krujë, në Laç, në Shkodër virusi ka prekur disa qytetarë të tjerë. Shumica e tyre janë zonja dhe vajza që punojnë në fasoneri”, u shpreh ai.

Sipas Bashës, zgjidhja është mbylla e fasonerive dhe shoqërimi me masa mbështetëse për biznesin.

“Qeveria duhet të urdhërojë mbylljen e fasonerive në të gjithë vendin. Bashkë me to duhet të mbyllen të gjitha vendet me grumbullime të mëdha punonjësish. Mbylljen e fasonerive dhe bizneseve të tjera me përqendrim të madh punonjësish, qeveria duhet ta shoqërojë me masa konkrete për mbështetjen financiare të punonjësve dhe biznesit”, tha Basha.

Basha shton se duke marrë masa, shmang nga rreziku 70 mijë qytetarë dhe kjo faturë financiare është, jo më shumë se 15 milionë euro.

“Duke marrë këto masa, mbylljen e fasonerive, testimin, gjurmimin, mbështetjen financiare, mundësohet shmangia e rrezikut për infektimin e 70 mijë qytetarëve. Kjo ka një faturë financiare jo më shumë se 15 milionë euro. Ky fond mund të çlirohet direkt nga anulimi i tre koncesioneve për inceneratorët. Vazhdimi i përhapjes së virusit në këto momente, që sjell për pasojë zgjatjen e izolimit të qytetarëve dhe bllokimit të ekonomisë do të na kushtojë shumë më shumë se sa paga e këtyre punonjëseve sot. Shëndeti i qytetarëve dhe ruajtja e vendeve të punës duhet të jenë prioriteti numër 1 i qeverisë!”, tha ai.