Fundprilli: Fluks i shtuar turistësh në Sarandë

Nga Thoma Nika

E diela e fundit e prillit solli një fluks të shtuar turistësh të huaj në Sarandë. Tërheqja e tyre ishin natyra e bregdetit shkëmbor në drejtim të Krorëzës e Kakomesë, si dhe Plazhi i Pasqyrave, i njohur për ujërat Blu.

Të tjerë turistë të huaj shkuan edhe më larg, në qytetin antik të Butrintit. Mes të tjerash, duke përdorur një varkë të vogël turistike, që ofron shërbim në Kanalin e Vivarit, ku vizituan Kalanë e Ali Pashës në Butrint.
Grupe norvegjezësh u ndalën për të vizituar Galerinë e Artit.

Të shumtë ishin ata që fundjavën diellore të Sarandës, e shijuan duke shetitur në lungomaren e qytetit. Këtë kënaqësi e shprehën edhe përmes kamerës së Blu TV, duke vlerësuar klimën mesdhetare, bukuritë natyrore, që ju bëjnë përshtypje të mirë, baret e restorantet me ushqime tradicionale, si në Sarandë edhe në Ksamil, si dhe miqësinë e ofruar nga vendasit.

Turistët e huaj që e kaluan këtë fundjavë në Sarandë, ishin nga Italia, Franca, Greqia, Polonia, Izraeli, Irlanda, Norvegjia, Nigeria etj.

Ky “pushtim” i Sarandës nga turistë të huaj qysh në muajin prill, është si një parathënie e mirë për atë që Saranda e Ksamili pritet të përjetojnë në muajt që vijnë. Saranda e Ksamili janë dy destinacione turistike, që kohët e fundit kanë qenë të promovuara në mjaft media të huaja, të cilat kanë cilësuar Sarandën perla e Mesdheut dhe Ksamilin si Maldivet e Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *