VIDEO/ Si të aplikoni për leje-dalje 90 minuta
Nga ora 05:00 e mëngjesit të sotëm ka filluar lehtësimi i masave shtrënguese të marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Kryeministri Edi Rama njoftoi pak ditë më parë se duke filluar nga dita e sotme do të kishte më shumë liri në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Fasha orare do të jetë 05:00-17:30, ku do të lejohet qarkullimi i këmbësorëve, që gjithashtu duhet të pajisen me leje-daljen.
Ndryshe nga java e kaluar, duke filluar nga sot leje-dalje do të jetë 30 minuta më shumë, pra qytetarët do të kenë mundësi të lëvizin për 90 minuta, duke ruajtur distancën mes njëri-tjetrit.
Të vetmit që nuk lejohet të aplikojnë për leje-dalje janë pensionistët, pasi atyre u është ndaluar që të lëvizin, pasi janë më të rrezikuarit nga COVID-19.
Lehtësime do të ketë edhe për shoferët, që do të lejohen të shkojnë në punë me makinat e tyre, por nuk do të lejohet që të marrin në makinë pjesëtarë të familjes, përndryshe do të përballen me sanksione të rënda, si heqja e patentës dhe bllokimi i makinës për 3 vite.
Ndërkohë deri në orën 17:30 do të jenë hapur edhe farmacitë dhe dyqanet ushqimore, në mënyrë që të mos krijohet shumë radhë, siç ndodte në javët e kaluara.
Do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura baret dhe restorantet, pasi grumbullimi i njerëzve përbën rrezik në përhapjen e koronavirusit.
Ndërkohë nuk do të lejohet edhe qarkullimi i taksive, të cilat janë të përfshira në paketën ekonomike dhe do të përfitojnë “pagën e luftës”.
Të shtunën dhe të dielën gjithçka do të jetë e mbyllur.
Aplikimi për të marrë leje-daljet do të mund të bëhet në portalin e-albania, ku përgjigja vjen menjëherë ose me sms në numrin 55155, ku përgjigja vjen pas 24 orësh.