Fjalë për një festival dhe një muze, si kryefjalë
Nga Thoma Nika
Festa e sivjetme e Detit, e ardhur në formatin e një Festivali, të quajtur SARANDA FISH FESTIVAL, për të qenë lehtësisht e perceptueshme edhe nga të huajt, që nuk janë më “të huaj” për Sarandën, çfarë nuk kishte të përfshirë!
Në Zonën e dedikuar Fëmijëve, pamë koreografi me aktorë të vegjël, me dekor dhe veshje që imitonin gjallesat e Detit dhe komunikimin tingullor mes tyre. Nuk ka dyshim se fëmijëve u dha shumë kënaqësi e mundësi argëtimi, duke prekur skenën si lojë e si hapësirë për të shprehur veten dhe për të marrë adrenalinën e pazakonshme.
Prindërve dhe gjyshërve u krijoi një gjendje emocionale e shpirtërore, që vetëm organizime e momente të tilla t’i dhurojnë.
Në Zonën e Suvenireve fantazia e artizanëve vendas, ishte e përfshirë në kornizën e Festivalit, duke krijuar e ofruar suvenire edhe me simbolikë Detarie. Artizanët thanë se më të kërkuarat ishin suveniret me simbole e motive Deti e Detarie dhe ato me bazë guaskat.
Zona e Kulinarisë funksionoi si zemra e Festivalit. Me gatime të peshkut e “frutave” të tjera të detit, në receta të pafund dhe të përgatitura plot fantazi e të ofruara në çast për degustim. E gjitha kjo, në kuzhina modeste në kushte “fushimi”, në kioska druri, të mbira si nga deti e të instaluara enkas për Festivalin e Peshkut, buzë shetitores dhe fare pranë valës së ujit.
Ndoshta pritej që Midhja të ishte “prima balerina” e këtij Festivali. Edhe se në kujtesën e njerëzve qëndron i pafshirë eventi lokal i Panairit të Midhjes. Por sidomos për arësyen e thjeshtë se Midhja është produkti më tipik e identifikues i Sarandës dhe Ksamilit. Peshkun e ka edhe Durrësi, Vlora e Shëngjini, edhe Shkodra e Pogradeci etj.
Më tej gjeje të zgjidhje çfarë të “thoshte truri” nga bota e pijeve. Mjafton të ndaloje para banakut frigoriferik, ku shkruhej “Moving Drink”, apo para banakëve të makinave, të prodhuara për të shërbyer si kioska pijesh të llojllojshme.
Art Zone, në pesë netë me radhë, prodhoi dhe shpërndau muzikë për të gjitha shijet dhe moshat. Që nga polifonia, kënga qytetare e deri te muzika pop e rep. Me “Musketierët”, me Ansamblet e Profesiobistëve, apo me DJ lokalë, me emrin që u ka shkuar në gjithë vendin e përtej. Jo rrallë ndodhte që poshtë-skena kthehej në zgjatim të skenës, kur fansat bashkonin zërat me këngëtarët e preferuar, apo bënin zinxhirin e të përfshirëve në valle popullore.
Maja e Lëkurësit, Kurorat e Pishave dhe Palmave apo Kodrat e Marinës, kthenin jehonën e zërit të artistëve të skenës. Shtoji kësaj edhe harenë e njerëzve, që jetonin e përjetonin momentin. Dhe nuk kishte më rëndësi nëse gjendeshe në shetitore, apo nuk kishe dalë nga shtëpia, pasi e tërë Saranda, tejpërtej, u bë “salla” e asaj skene. Sepse Skena e Festivalit, një strukturë e ngritur me elementë “parafabrikate” të teknikës së kohës, që nuk i linte asgjë mangut një ndërtimi të përhershëm, e parë nga zadra e notit, dukej si një shumëkatëshe, që sundoi gjithë hapësirën e Gjirit të Sarandës sonë.
Por, thuajse nuk kam thënë asgjë akoma. I tërë Festivali ishte metaforkisht një tortë, ku çdo sarandiot, çdo vizitor, vendas dhe i huaj, mori prej shijes së saj.
Por, kur shprehem se “nuk kam thënë asgjë akoma”, fjalën e kam se çdo Tortë ka “qershinë” e saj. E “qershia” e Festivalit të Peshkut, ishte ai Muze i një tipologjie, që Saranda nuk e kishte as patur e as parë më parë.
Një Muze i prezantuar me gjuhë arti, në një institucion arti, siç është Galeria “Art-Saranda”. Duke u bërë vizitor i tij, ti në dhjetëra minuta bëhesh udhëtar në historinë e Detarisë dhe të Peshkimit, me “vjetërsi” në shekuj dhe me fokus në 100-vjeçarin e fundit për Sarandën dhe rajonin.
Një Kronologji me ndalesat më domethënëse në historinë e një shekulli në zhvillimin e Peshkimit në vend e në jug.
Nje statistikë informuese mbi realitetet dhe kapacitetet e gjuetisë së peshkut, referuar specifikës së anijeve të kohës. Në mënyrë të pandarë nga ky realitet, ekspozohet ndotja plastike që i është shkaktuar detit në dekadat e fundit. Si apel vjen ajo çfarë mbetet të bëjmë, për të mos vazhduar ta përdorim detin si kosh të madh plehërash.
Në trajtën e një vale deti, na vjen në Muze fjalori dhe fjalët më tipike të Detit dhe Peshkimit, printuar mbi një fletë alumini të valëzuar. Ajo çonte drejt ekranit të sallës, ku, me zë e figurë, të flisnin në pasazhe filmike personazhe
Njerëzish, që me Detin dhe Peshkimin kanë të lidhur Jetën. Në eksponate të tjera, portretet e tyre i sheh të ekspozuara me foto shprehëse për atë që ata janë.
Një pasuri më vete janë modelet e ekspozuara për lidhjen e grepave dhe mënyrat e ankorimit të anijeve në kohëra.
Pjesa më relaksuese janë instalacionet, pjesë e Muzeut, realizuar si një pikturë e aplikuar, me fije si fije rrjetash peshkimi.
Ja ku edhe hapësira e lënë bosh në trajtën e një shisheje. Kjo të kujton zakonin e vendosjes brebda saj, të mesazhit që udhëton për brezat, të cilët ia dorëzojnë postin njeri-tjetrin në profesionin e peshkatarit. Një moment relaksi krijon për çdo vizitor testi i arësyes personale të lidhjes me Detin. Është Dashuria, Qetësia, Vetmia apo Nostalgjia??? E këtë ti e shpreh duke bërë “kosh” topin me ngjyrën respektive në ndarësen “tënde”. Letërsinë më përfaqësuese botërore, krijuar për Detin, e gjen gjithashtu të varur në litarë peshkimi në sallën e këtij Muzeu, duke nisur me “Plaku dhe Deti”, me “Sindbad Detarin” apo me “Mobi Dik”.
Saranda Fish Festival mbaroi, për t’i hapur rrugën edicioneve që do të vijnë, në vitet që vijnë. Skena u smontua, kioskat e tezgat do të lirojnë hapësirat. Vetëm ky Muze do të jetojë gjatë. Me historinë, informacionin dhe emocionin që krijoi në Qytetin e Detit, me trendy të pandalshëm për të qenë ai Kryeqytet i Turizmit.