Nisja e sezonit turistik, mesazhi sensibilizues nga e Policisë Rrugore Sarandë

Me nisjen e sezonit turistik shumëfishohet numri i mjeteve të cilat vijnë ne qytetin e Sarandës dhe kjo situatë passjell bllokime dhe vështirësi në qarkullim. Nga ana e policisë rrugore janë marrë masat dhe është vijuar me ndjekjen e zbatimit të tyre me qëllim lehtësimin e situatës.

Pavarësisht këtyre masave, vërehet papërgjegjshmëri e theksuar e drejtuesve të mjeteve, të cilët parkojnë mjetet e tyre në mënyrë të parregullt, në vende ku nuk lejohet pushimi dhe duke penguar apo bllokuar qarkullimin e mjeteve të tjera. Gjithashtu, shqetësues është situata me qarkullimin e lirë të autobuzëve, ambulancave apo zjarrfikseve, e cila sjell pasoja të rënda në ndihmën e institucioneve ndaj qytetarëve si dhe në bllokimin e gjithë trafikut të qytetit duke marrë parasysh edhe natyrën e rrugëve të cilat janë me një sens lëvizje.

Me qëllim lehtësimin e situatës, përmes këtij njoftimi risillet në vemendje detyrimi i çdo dretjuesi që të respektojë dispozitat e Kodit Rrugor dhe masat përkatëse administrative si mëposhtë:

1-Çdo automjet, i cili me mënyrën e parkimit bllokon rrjedhshmërinë e trafikut apo bëhet pengesë për lëvizjen e mjeteve të urgjencës, zjarrfikseve apo autobuzëve, duke sjellë bllokim të gjithë trafikut te qytetit, do te merren masa maksimale të cilat variojnë deri në 20.000 lekë (të reja), bazuar në parashikimet e Kodit Rrugor.

2-Çdo automjet me targa të huaja, i parkuar në kundërshtim me rregullat, mbi trotuar apo në mënyre dhe vende të ndaluara për parkim, do të procedohet me masa maksimale administrative si dhe do ti tërhiqen targat nga punonjesit e policisë për në zyrat e qarkullimit rrugor.

3-Të gjitha monopatinat dhe drejtuesit e tyre të cilët lëvizin në kundërshtim me rregullat, jo ne korsit e dedikuara, pa jelek fosforishent dhe pa kaskë, do te procedohen me gjoba maksimale si dhe do bllokohen monopatinat në pikat e ruajtjes.

4-Në bashkëpunim me Bashkitë, do të vendoset një orar për furnizimin e bizneseve dhe çdo mjet i kesaj natyre që do të jetë jashtë orarit të vendosur nga Bashkia për furnizimin e bizneseve, do të ndëshkohet me masë administrative maksimalisht.

5-Mjetet me targa private (të palicencuar) të cilët kryejnë veprimtari për transport udhëtaresh në kundërshtim me ligjin, do të ndëshkohen maksimalisht me masë administrative deri në konfiskim mjeti sipas parashikimeve të Kodit Rrugor.

Kontrolloni në e-albania për masat administrative të palikujduara me qëllim shmangien e pagesave me kamata.