PERSONAZH: Saranda, si laborator krijues i Demaçit
Nga Thoma Nika
Erdhi për herë të parë në Sarandë, në vitin 1992. E atëherë i quajturi “Mandela i Europës”, për shkak të tre burgosjeve të tij prej 28 vjetësh nën regjimin serb, do të thoshte:
– Më mbetën sytë. Dhe, kur pyeta veten se kë duhej të zgjidhja ndër qytetet e bregdetit shqiptar, si për miqtë e mi edhe për mua, ishte pa diskutim Saranda.
Në fakt, ka qenë fundi i vitit 2006, kur Adem Demaçi vendosi të ngulet në Sarandë dhe ta zgjedhë atë si qytetin që i bën mirë për shëndetin dhe për krijimtari të shëndetshme. Fillimisht bujti në një dhomë hoteli e mandej në mjediset e një vile, që njerëz të letrave në qytetin e jugut shqiptar, ia ofruan me bujari.
Inxhinjeri urbanist Hekuran Halili, njëherësh edhe autor librash me poezi, do të ishte i pari që do t’ia bënte këtë ofertë. “Në Sarandë të ndihmojnë po deshe ndihmë, por nuk të pengojnë dhe të kuptojnë. Po qe se je punëtor e respektojnë punën tënde”- pat vlerësuar ai, kur ende ishte banor i ri i Sarandës. I 41-mijti i qytetit. Më 2012 u çertifikua si i tillë, përmes një pritjeje nga Qytetari i Parë e personalitete të Sarandës.
Më tej Demaçi u dashurua edhe më shumë me këtë mjedis social e natyror dhe përmes njerit prej miqve të mirë të Sarandës, Nuredin Izetit, bleu apartamentin në pallatin prapa Hotel “Butrinti”. E kështu u bë e u ndje edhe me pronë në Sarandë.
Por prona e tij e vërtetë dhe e madhe mbetën lidhjet me njerëzit. Ai ftohej në promovime librash, si në atë të rapsodit Petrit Metushi e të poetit Timo Mërkuri. Do të mbetej në kujtesën e poetit të fikur nga Rusani
i Delvinës Ardian Hoxha, kur e vizitoi poetin e paralizuar në shtratin e krijimit dhe të flijimit. Gjendej mes gjimnazistëve sarandiotë në biseda për politikën, për Kosovën dhe për letërsinë.
Por Saranda do të kthehej edhe në laboratorin e tij krijues, pasi pikërisht në kushtet ideale që ai thosh se ofron qyteti, u frymëzua dhe shkrojti romanin “Dashuria kuantike e Dardhës”. Romani i tij, i lindur në Sarandë më 2007, u botua në plot 17 mijë kopje në Kosovë. Është romani që ngërtheu kujtimet dhe refleksionet mbi jetën dhe peripecitë 30-vjeçare të disa burgosjeve të tij dhe përtej tyre. Në këtë klimë Demaçi u ndje i qetë dhe i nxitur për të shkruar si me një frymë romanin. Një roman i llojit të kujtimeve, i lindur në këtë mjedis, që ai e vlerësonte të përkryer për njerëzit e letrave. Romani i shkruar në Sarandë rrok të sotmen dhe mbërrin në vitet dhe zgjidhjet që vijnë, si më të merituarat e më adekuatet për çështjen kosovare.
Ndersa tregonte se Sarandën e gjeti si një pikë që i duhej në hapësirën shqiptare. Ai ka patur rast të tregojë për miqtë e rinj, që i janë shtuar këtu, për dëshirën për të jetuar gjatë e për të shkruar edhe libra të tjera në Sarandë, për të bërë politikë duke i shndërruar mendimet në ndjenja dhe duke ndikuar te njerëzit, pa u “kuptuar” se ai është duke bërë politikë me ta.
Sipas tij, arësyeja madhore që Adem Demaçi pat vendosur t’i mungojë Kosovës, duke e këmbyer Prishtinën me ekstremin e jugut shqiptar, siç është Saranda, janë krizat.
“Kosovës i mungoj vetëm atëherë kur janë situatat e krizës. Por kur ka diçka për të nxjerrë nga Kosova, atëherë vijnë të tjerë. Unë e kam dhënë veten dhe krejtësisht i jam kushtuar Kosovës dhe nuk kërkoj asgjë prej saj.” – më pat thënë.
– Në Kosovë,- ka rrëfyer ai- ditët e mia janë të mbushura me aktivitete të ndryshme. Prishtina është e madhe. Për çdo ditë atje vdesin një, dy, tre, katër, pesë. Patjetër, një qëllon i njohuri im, se jam Prishtinas i vjetër. Pastaj bëhen dasma shumë e manifestime shumë. Kam miq që kanë dëshirë të më vizitojnë. Kështu që kohën time e kaloj në aktivtet, i cili është i rëndësishëm për veten e vet. Por nuk është aq i rëndësishëm sa unë, mendoj që këto që kam në kokë e në kujtesë, t’i qes në letër, t’i shënoj.
– Në jetëm time-shtonte Demaçi-ka pasur shumë njerëz që më kanë ndihmuar, janë sakrifikuar e flijuar dhe dëshiroj që nderi dhe puna e tyre të mbetet diku e shkruar.
Me këtë mendim e dëshirë, kërkoi një pikë në hapësirën shqiptare dhe kjo ishte Saranda. “Shumë shpejt e provova se këtu përbërja e popullsisë është në një nivel europian. Është një ambient gjithashtu edhe klimatik, që më përshtatet më shumë se pika të tjera të hapësirës shqiptare. Prandaj dhe u vendosa këtu”
– Dhe bëra mirë, thosh ai me bindje të thellë. Se “po të mos isha në Sarandë, nuk do ta shkruaja dot romanin tim të fundit. Kjo do të mbetej për më vonë dhe puna që lihet për nesër, është e ngarkuar me diçka që duhet të bëhet nesër. Unë kam dëshirë që punët që planifikoj t’i kryej sa më shpejt, megjithë që kam ndërmend të jetoj gjatë”.
Por asgjëje nuk i dihet, vitet kalojnë dhe kujtesa, që është mirë sot, nuk dimë si do të jetë pas dhjetë vitesh. Disa punë, që kanë lidhje me emrat e njerëzve, me situatat, me përjetimet që duhet të paraqiten në mënyrë objektive dhe të vërtetë në letërsinë memoristike që pat nisur të shkruaj.
Sipas planeve të tij krijuese, romani i parë i këtij lloji do të pasohej edhe nga të tjerë.
Por shëndeti nuk eci në drejtimin që ai priste. ‘’Dashuria kuantike’’, do të ishte dashuria e tij e fundit, e nënshkruar në Sarandë.
Tërë ajo jetë dhe ajo dashuri që “Mandela i Europës” kishte për Sarandën, a nuk e ka hak të përjetësohet në emrin e një rruge, një sheshi?! As një bust a shtatore e tij, nuk do të ishte tepër, në përjetësim të Adem Demaçit. Siç do të ishte në nderin e Sarandës, ngitja e një dhome muze, si aneks i rrjetit të muzeve, në kontekst të atraksionit turistik, ofruar mijëra turistë nga Kosova, të cilët, njësoj si Demaçi, janë dashuruar me Sarandën.