Personazh 2024: Avokati “fluturues” në krahët e erës
Nga Thoma Nika
Jo çdo ditë është solare, edhe në Sarandën e cilësuar Qytet i Dellit. Qëlloi që në ditët që lamë prapa, deti të vinte tallaz-tallaz. Dhe shkulmet e erës ishin si rrallë ndodh. Këtë do të priste një 40-vjeçar, për t’iu dorëzuar erës detare dhe të tërhiqte mjaft sy kurreshtarë, që e shihnin të përshkonte shetitoren hypur mbi një bord me rrota të vogla, si minipatinë.
Ndërsa për të fluturuar me energjinë e erës, e ndihmonte një velë, e përngjashme me krahë shpendi.
Ferdi Korkuti na tregon se mezi e priste këtë egërsim të motit, për të vënë në lëvizje mjetin e tij sportiv, që është një nga hobet që i jep aq shumë adrenalinë.
Na thotë se Studjoi për drejtësi. Ushtroi edhe avokatinë këtu për 6-7 vite. Pastaj provoi emigracionin dhe punoi jo pak në Angli, në punë që i dhanë më shumë kënaqësi e më shumë të ardhura. Por kur Saranda vihet në fokus të mediave ndërkombëtare dhe në preferencën e turistëve europianë, ti thua: unë jashtë saj do rri? Dhe erdhi në qytetin e lindjes me dëshirën dhe ëndrrën që turizmit sportiv t’i shtojë një pistë të re.
Është me idenë e themelimit të një Akademie të fluturimeve me sërf skeit, duke projektuar të afrojë rreth vetes mosha shkollarësh dhe të rinjsh, që duan t’i dorëzohen këtij pasioni. “Ka sporte pa fund- thotë Ferdi- dhe me kosto jo të larta”. Përtej kësaj, projekti i tij shikon nga e ardhmja, kur ky lloj sporti, i fluturimit falë energjisë së erës, të ofrohet edhe për turistë e të sjellë të ardhura, ngjashëm me atë që bëhet në boradromet e qyteteve të turizmit dimëror.
Nderkohe që shton se bota është e shtrënguar ta bëjë këtë sport në salla të mbyllura ku gjenerohet erë teknologjike ose me patina patinazhi në pishina të ngrira, ndërsa ne jemi të bekuar që kemi këtë klimë.
Ngacmimin e parë për ta bërë këtë, thotë se e mori nga të njohur të tij, që ishte një çift i ngulur në Ksamil, me një pajisje
Vela e tij fluturuese ka edhe një dizenjim si krahë të lakuriqit të natës. E kjo qysh në daljen e parë në fluturim, ka bërë kurreshtarë një grup fëmijësh, të cilët iu afruan dhe e mbuluan me pyetje avokatin “fluturues”.
Ai ka lënë mënjanë nenet e ligjeve dhe sallat e seancave gjyqsore, për të dalë në pistën e fluturimit, në krahët e erës.