Personazh 2024: Lili i pëllumbave me mikroçip
Nga Thoma Nika
Në Sarandë, prej fëmijërisë, e njohin si Lili i Dritës. Ndërsa ata që i njohin edhe një prej pasioneve të tij më të mëdha, e quajnë edhe Lili i Pëllumbave.
Me rritje pëllumbash në kafaz, është marrë qysh në fëmijërinë e tij, si jo pak fëmijë të tjerë bënin në qytetin e pulëbardhave të detit.
Por 40 vite kaluan shpejt. E Lili i Pëllumbave, duke u rritur në moshë, u rrit edhe në pretendimin që pëllumbat e tij të fluturojnë nëpër botë dhe t’u afrohen kampionëve në gara ndërkombëtare.
Në tarracën e pallatit 7 katësh, ku banon, Lili dhe 70 pëllumbat që strehon dhe kujdes atje, janë një marrëdhënie speciale.
Lilin nuk e kënaq vetëm gugatja e pëllumbave, pasi pasionin e tij e plotëson tani fakti që ai rrit Pëllumba Poste, nga ata që lëshohen për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.
Për 25 gushtin e vitit që kaloi, Lili tregon se u mbush me emocion dhe kënaqësi. Sepse Pëllumbi i tij, i pagëzuar me emrin Berlina, do të ishte ai që fluturoi nga Berlini. Mikroçipi i vendosur në një prej këmbëve të Berlinës, rregjistroi 1581 km gjatë kthimit fluturues për në Sarandë, ku rigjeti strehën nga ishte lëshuar. Berlina u rendit në vendin e 18-të në Europë, ndër 10 mijë pëlllumbat e garës ndërkombëtare të Berlinit
Emocionin e parë të Pëllumbit garues thotë se e provoi 7 vite më parë, kur pëllumbi i dërguar prej tij në garën e Kroacisë më 2017, u kthye gjithashtu si triumfues.
“Këto emocione i kuptojnë vetëm të apasionuarit e këtyre garave”-thotë Lili i Pëllumbave.
Rritësit e pëllumbave të Postës kanë edhe Shoqatën e tyre në shkallë vendi, që kujdeset për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare. Por deri këtu.
Ndërsa kolegë të tyre në vendet europiane shpërblehen për vende nderi nga pëllumbat respektivë, shqiptarët vlerësohen me kupa e medalje. Me këto trofe Lili ka sajuar një raft të tërë në sallonin e pritjes të apattamentit ku banon.
Ketyre gjallesave të bukura këtu në tarracën e pallatit u ka krijuar të gjitha kushtet duke i ndarë në katër kategori dhe duke i akomoduar në katër bokse, ku nuk ndjejnë as të ftohtin e as vapën. Nuk u mungon as ushqimi i posaçëm, sipas recetave standarte europiane dhe kanë ujin e tyre për pirje dhe për larje në vaskën e posaçme, dy herë në javë.
Na tregon se u përdor edhe medikamente speciale për çdo shqetësim shëndetsor që paraqesin dhe spray energjik që i përtërin fizikisht pas kthimit nga gara.
Merret me mend se ushqyerja dhe mirërritja e pëllumbave të tillë, do të thotë vëmendje e madhe dhe kosto e lartë. Por mes tyre Lili ndjehet i plotësuar në pasionin e tij të hershëm. I është dashur të refuzojë edhe mijëra euro që i kanë ofruar për të dhënë Pëllumbin Kampion. Ndërkohë që na tregon se ka ndodhur që një pëllumb kampion në Shtëpi Ankandi në botë, është shitur përtej 1 milionë eurove. “Edhe kaq të më jepnin, nuk do ta ndaja nga vetja Berlinën time”, thotë Lili i Pëllumbave.
Ai ndjen bashkë me ta. Këtë kuptojmë kur i lëshon pëllumbat dhe i shikon të fluturojnë tufë në hapësirën qiellore mbi Sarandë. “Kur fluturojnë kështu, janë të lumtur. Kur vijnë rrotull pallatit, kuptoj që diçka nuk është mirë”, na rrëfen Lili, që di mirë gjuhën e Pëllumbave të Postës.