Irini Qirjako me estradën dhe për estradën e Sarandës

Vangjel AGORA

Irini Qiriako (Mjeshtër i Madh) u aktivizua për here të të parë si këngëtare në Estradën e Sarandës. Qëndroj pak në këtë trupë duke u aktivizuar vetëm në 2 premiera e disa koncerte,por mjaftushëm për të treguar vlerat dhe talentin e saj si artiste,(këngëtare dhe aktore) që më vonë e bënë të njohur dhe të dashur për gjithë artëdashësit brënda dhe jashtë e vendit me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Ja si i shpreh kujtimet e saj për kohën e aktivizimit ne estradën e Sarandës,botuar te libri”AROMA E NJË KOHE QË PO IKËN”

Në vitin 1977 përfundova studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dhe si studente stazhiere, pavarësisht emërimit në Shtëpinë e Kulturës në Konispol, falë këmbënguljes së regjisorit Thoma Milaj u aktivizova në Estradën Profesioniste të Sarandës. Kjo estradë cilësore renditej me estradat më të mira të vendit. Në përbërje të trupës së saj ishin regjisori me dhunti e prirje të veçanta muzikore Thoma Milaj, aktori i shkëlqyer Theofil Haxhijani, së bashku me Violetën gruan e tij, aktorët e talentuar Vangjel Agora, Lekë Mosi, Haki Spaho, Gastere Shkurti dhe mjeshtrit e mëdhenj të orkestrës, Adem Daci, Tomi Stefanidhi, Pajtim Hodri, Bexhet Shenaj e të tjerë, me në krye Thoma Gjonin. Në këtë trupë, unë u aktivizova në komedinë muzikore “Me plot dëshirë”, me të cilën bëra ballafaqimin e parë me spektatorin e qytetit të Sarandës, dhe në turnetë e organizuara më pas, me spektatorët e disa qyteteve të vendit, ku ndjeva forcën, emocionin dhe përgjegjësinë që të japin duartrokitjet e tyre. Përvoja e punës sime 8 mujore pranë Estradës Profesioniste të Sarandës, ishte një hap i mirë në rrugëtimin tim si këngëtare e muzikës popullore. Për çdo artist të ri, mbështetja që të japin artistët e talentuar dhe më me përvojë, pa dyshim shërben si një shkollë dhe krijon në vetvete një forcë mobilizuese e inkurajuese për ty vetë.
Në interpretimin e rolit të Artës, që m’u besua në komedinë muzikore “Me plot dëshirë” mua më mungonte përvoja e artit skenik, pasi nuk kisha studiuar për aktore, sikundër ishte aktori Vangjel Agora, partneri im në këtë komedi. Prandaj, për të realizuar rolin profesionalisht, jo vetëm të pjesës muzikore, por veçanërisht atë të aktrimit, më nevojitej vazhdimisht gjatë punës ngrohtësia dhe ndihmesa e pakursyer e regjisorit dhe kolegëve aktorë, të cilat nuk më munguan. Kështu unë nuk mund të harroj ndihmën e artistit të madh Theofil Haxhijani e të Violetës, apo të aktorit të talentuar Vangjel Agora, të cilin si partner që e kisha në këtë komedi muzikore, e “lodha” më shumë, në mënyrë që të arrija edhe unë kërkesat për realizimin e rolit. Gjithashtu, me dashuri e mirënjohje kujtoj aktoren Gastere Shkurti, me të cilën herë pas here vijonim së bashku provat edhe në shtëpinë e saj mikpritëse.
Kujtoj me respekt dirigjentin e mrekullueshëm Namik Xhaferi, i cili me urtësi e përkushtim na ndihmonte ne artistëve të rinj. Me shumë konsideratë kujtoj edhe libretistin Enver Isufi, materialet e humorit e të satirës të shkruara me mjeshtri prej tij, përbënin një bazë të rëndësishme për të siguruar suksesin e shfaqjeve. Ai ishte një njohës i mirë i jetës shoqërore dhe me humorin e satirën therëse, arrinte të fshikullonte të metat e dobësitë e asaj kohe. Natyrisht nuk mund të harroj bashkëpunimin e frytshëm me këngëtarët Telemak Papapano, Theofan Kumbulli, Pëllumb Zotaj, Lefter Agora, Gani Doko e të tjerë, të cilët ishin pjesë e pandarë e shfaqjeve të estradës. Muzika dhe këngët e bukura të interpretuar prej tyre i gjallëronin shfaqjet tona.
Në Estradën Profesioniste të Sarandës mbizotëronte disiplina artistike, puna në grup, kërkesa e përgjegjësia për të dhënë shfaqje sa më dinjitoze dhe me nivel të lartë artistik. Të bënte përshtypje një harmonizim mjaft i mirë i artistëve profesionistë me ata amatorë, që ishin të shumtë e të talentuar. Me individualitetet e spikatura artistike, që kjo trupë kishte në përbërjen e saj, me humorin e satirën e shëndoshë që artistët e saj përcillnin me një nivel të lartë interpretimi, ajo arriti që në të gjitha shfaqjet e dhëna si brenda rrethit, ashtu dhe në shumë qytete të vendit, të jetë e suksesshme dhe mjaft e mirëpritur nga spektatori, i cili e ndiqte përherë me interes të madh, çka i bënte nder qytetit të bukur të Sarandës.
Kanë kaluar shumë vite qysh atëherë dhe nga kjo distancë në kohë, arrin të kuptosh dhe të vlerësosh më së miri vlerat artistike, humorin e këndshëm, qortues e pa banalitete, nivelin e lartë të interpretimit të aktorëve dhe muzikantëve, dhe gjithçka që ka arritur kjo trupë artistike në vite. Ndaj unë si një ish studente stazhiere, i jam shumë mirënjohëse trupës së estradës profesioniste të Sarandës, drejtuesve të saj, për gjithçka që më dha dhe mora për formimin tim artistik, si këngëtare, e cila më shërbeu si një ogur i mirë në karrierën time artistike.