Gjendet i vdekur i moshuari amerikan në Sarandë
Një amerikan me banim në Sarandë është gjetur i pajetë mesditën e sotme në apartamentin e tij në Sarandë.
70-vjeçari jetonte i vetëm në një apartament me qira, ndërsa kishte rreth 3 ditë që nuk po u përgjigjej telefonatave të një prej miqve të tij.
Nisur nga ky fakt, miku i tij njoftoi policinë, e cila së bashku me shërbimet zjarrfikëse dhe mjekësore kanë mundur të hyjnë në apartament, ku kanë gjetur pa jetë 70-vjeçarin, shkruan Shqiptarja.com.
Nisur edhe nga situata e koronavirusit, trupi i tij do të përcillet drejt Tiranës për t’u bërë autopsia e shkakut të vdekjes.
Në trupin e viktimës, por edhe në brendësi të apartamentit nuk janë vënë re shenja dhune apo shenja të tjera për të dyshuar për ndonjë akt kriminal.