Segmenti i dytë i aksit Palasë – Dhërmi hapet brenda pak ditësh

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në segmentin e dytë të aksit Palasë – Dhërmi, i cili pritet të hapet për qarkullimin e automjeteve brenda pak ditëve.

“Këtu punohet me ritme të shpejta pasi ne duam që ta hapim gjatë këtij sezoni. Ka një presion shumë të madh nga pushuesit. Sigurisht se kur ti shikon një rrugë të shtruar ku ti mund të kalosh dhe mendon se duhet të bësh gjithë kurorën nga sipër, por ne duhet të përfundojmë dhe gjithçka duhet të jetë në parametrat e duhur të sigurisë rrugore, kështu që do të duhet pak durim, por rëndësi ka që e kemi këtë rrugë totalisht të hapur”, deklaroi Balluku.

Balluku u ndal dhe te ndikimi social i këtij aksi rrugor për banorët e zonës.

“Duhet thënë që këtu ka qenë paksa e vështirë, duke pasur parasysh që ka pronat e bregdetit, kanë një rëndësi të veçantë për pronarët e truallit dhe presin që t’i zhvillojnë ato. Kështu që është dashur një bashkëpunim i mirë me banorët e zonës për të pasur mirëkuptimin e tyre dhe mos kishim pengesa dhe për të thënë të drejtën, këtu situata është zgjidhur në mënyrën më të mirë, me bashkëpunim dhe mirëkuptim, me gjithë banorët e zonës, pasi ata kanë kuptuar që kjo vepër i jep një vlerë tjetër pronës së tyre dhe i jep një vlerë tjetër të gjithë bregdetit të jugut”, deklaroi zv/kryeministrja.

Sipas Ballukut, kjo rrugë lidhet dhe me daljen e tunelit të Llogorasë.

Zv/kryeministrja më tej informoi se përgjatë këtij segmenti do të ndërtohet edhe një pedonale.

“Pjesa e trasesë është punuar dhe është bërë gati për të ndërtuar pedonalen, aty ku të gjithë mund të shëtisin gjatë ditës apo natës, duke pasur parasysh që ka dhe njerëz që duan të bëjnë sport, të bëjnë vrap, por edhe një korsi biçikletash për të gjithë ata që dëshirojnë që ta bëjnë këtë pjesë që është panoramike edhe me biçikletë”, tha ajo.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi bëri të ditur se ky aks rrugor është 4.5 km i gjatë, me një gjerësi 12 metra.

“Segmenti i parë, të cilin e hapëm vitin e kaluar ishte 2.5 kilometra dhe tani kemi 2 kilometrat e tjerë të të gjithë aksit. Është një aks 4.5 kilometra në total, me një gjerësi 12 metra kurorë të rrugës dhe me 9 metra asfalt. Është një rrugë e kategorisë C,2 me një reliev panoramik dhe gjithashtu kemi pasur dhe dy vepra arti, urën në hyrje të Palasës dhe kemi pasur dhe një urë të vogël afër kilometrit të dytë”, tha kreu i ARRSH-së.

Rruga Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.5 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, është një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit.