Kumbaro: 3,4 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 6 muajt e parë të vitit
Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale shifrat e periudhës janar-qershor 2022 dhe 2023.
“Javë të mbarë me lajme të mira: e raportojnë turoperatorët e thonë hotelet e shohim përditë edhe me sy të lirë , por tani e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare, ku në 6 muajt e parë të këtij viti e kanë frekuentuar Shqipërinë 3,4 milionë vizitorë të huaj, ose 33% më shumë se vitin paraardhës duke na bërë pjesë të hartës turistike të Mesdheut, me shijen unike të gjithçkaje që gjen në Shqipëri”, tha Kumbaro.
Në videon e publikuar nga Kumbaro thuhet se “vetëm në qershor 2022 Shqipëria u vizitua nga 876 056 vizitorë, ndërsa në qershor 2023 nga 100 70 33 vizitorë pra 15% më shumë vizitorë se një vit më parë. Në janar -qershor 2022 u vizitua nga 2 553 747 vizitorë, ndërsa në janar- qershor 2023 nga 3 396 932 ose 33% më shumë”.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.
Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.
Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota.