Ksamil, Lundroi me gomone afër perimetrit të sigurisë, gjobitet pronari
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, në veçanti për kontrollin e mjeteve lundruese, pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues gomone që po lundronte në zonë të ndaluar, në Ksamil, kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe më pas kanë bllokuar mjetin lundrues gomone në SPK Port Sarandë.
Mjeti lundrues është shfaqur edhe në portalin JOQ, por në momentin e publikimit, mjeti lundrues ishte shoqëruar dhe bllokuar nga Policia Kufitare, menjëherë pas njoftimit të marrë nga patrullat e Policisë që vëzhgojnë nga toka vijën bregdetare për shkeljen e zonës së sigurisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, pronari i mjetit lundrues, shtetasi A. P., është ndëshkuar me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj, pasi ka lundruar në zonë të ndaluar dhe nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm, në bordin e mjetit lundrues.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha zonat bregdetare, ndaj apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të lundrojnë vetëm në zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, që të mos cenojnë sigurinë e pushuesve.
Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së zonës së sigurisë, nga përdoruesit e mjeteve lundruese, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në zbatim të ligjit.