Kumbaro: Kolazh kartolinash nga Thethi në Ksamil, destinacionet e preferuara të blogerëve të huaj
Shqipëria vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e blogerëve të huaj, të cilët ftojnë ndjekësit e tyre të vizitojnë vendin tonë këtë sezon veror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjete sociale një video nga udhëtimi i blogeres Coral Gorstein, e cila ka vizituar Shqipërinë nga Thethi në Ksamil.
“Me një kolazh kartolinash nga Thethi në Ksamil destinacionet e preferuara të blogerëve të huaj që dita-ditës po e zgjerojnë hartën turistike duke promovuar perla të reja për t’u zbuluar dhe ku vështirësia e vetme është ajo e zgjedhjes”, tha Kumbaro.
Blogerja Gorstein në videon e publikuar në rrjetet sociale tregon se ka qëndruar në Theth, në Lumin e Shalës, në Vlorë dhe Ksamil.
“Nëse ju pëlqen eksplorimi dhe natyra, unë do t’ju rekomandoja të vizitoni Thethin dhe Lumin e Shalës. Nëse jeni duke kërkuar për plazhe zona e Vlorës dhe Ksamilit janë vendet ku mund të shkoni”, shkruan Gorstein ndjekësve të saj të cilët e pyesin për vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri.
Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq turistë dhe vizitorë të huaj, jo vetëm në sezonin turistik veror, por përgjatë gjithë vitit. Gjatë periudhës janar-maj kanë hyrë në territorin shqiptar 2 389 899 turistë të huaj, nga 1 667671 turistë të huaj që vizituan vendin vitin e shkuar në të njëjtën periudhë. Vetëm gjatë muajit maj kanë hyrë në territorin shqiptar 705 069 turistë të huaj, kur në të njëjtën periudhë të 2022-shit, hynë 604 430 turistë të huaj, ose 17 % më shumë.