Ç’u thotë mjekëve që ikën Miço Xhaferi, “Kirurgu i Periferisë” në Jug ?
Nga Kristo Mertiri
40 vite më parë, atje, buzë detit mes shushurimës e pëshpëritjeve pa shkumë të valëve joniane, duke ngjitur e zbritur shkallaret e Sarandës , duke shëtitur e pirë kafe nën aromën dehëse të trëndafilave e bukovileve kam njohur Mico Xhaferin, mjekun legjendar të atij qyteti. Kirurg që nuk e ka hequr ende stetoskopin nga veshët dhe bisturinë nga dora ! 5 dekada në roje të shëndetit e të jetës së njeriut në qytet e fshat.
Kur hynte në zyrën e korrespondentit të Jugut, përmes tymit të duhanit duman , e linte derën hapur dhe ngrinte zërin me ton urdhërues : Dil shpejt jashtë, miku im i padisiplinuar , mos u bëj vrasës i shëndetit tënd e të tjerëve !…
Rrodhën mjaft vite e ujëra. Pas botimit të reportazhit të gjatë në gazetën “Shqip” në 2012, ra zilja e celularit në Tiranë. Ishte doctor Micua, mbytur në emocione e mall. Hedhjen time arrogante në rrugë nga një ministër milioner, e kish përjetuar keq pasi kish lexuar në “Tema” shkrimin fshikullues, dëshpërues e revoltues “Mos më kërkoni në Sheshin “Omonia”
Doktori nuk vonoi të nxirrte një nga “pengjet” e veta miqësore e profesionale, jo pa humor e shqetësim: “Ah, Kristo i dashur, nuk ta largova dot duhanin !…Shkurt hesapi, me cigaret e tua “dështova”! Të paktën, mos harro atë urtësinë e lashtë : Në këtë botë ka shumë sëmundje, por ka vetëm një Shëndet…”.
Meditimet e kujtimet nuk kanë të sosur. E pohoj jo me gëzim, sot s’besoj të jenë kujtuar nga Pushteti a Opozita për “Mjeshtrin e Madh”, Doktorin e Shkencave Mjekësore, Kirurgun duarartë të Periferisë(kështu e ka titulluar një libër interesant). Mbush fiks 80 vjec ! Edhe vetë Micua mund të jetë i zhytur në ndonjë sallë kirurgjikale në Spitalin që mban emrin e mjekut partizan minoritar, Petro Nako. I përgjigjet si dikur cdo telefonate e kërkese për ndihmë. Ditën me diell e natën me hënë. Dhe mërmërin jo pa kënaqësi postulatin e babait të Kirurgjisë, të paharruarin Petro Cani: “Kur nuk do operoj, kam vdekur !”…
Kur mori titullin e merituar “Mjeshtër i Madh”, në Sarandën time u organizua një ceremoni e ngrohtë, mbresëlënëse e dinjitoze. Unë nuk vajta dot. Por kolegu e miku im Aleksandër, mori disa kopje të gazetës “Shqip” në makinë dhe i shpërndau atje. Pjesmarrja e madhe nuk ra në sy nga zyrtarët e kollarisur, por kryesisht nga pacientët e tij mirënjohës në qytete e fshatra. Më kujtohet kur nisa nga Spitali nr. 1 urimin tim në celular dhe pak vargje të perifrazuara nga poeti i madh skraparli. Gati u përlot në telefon…E ku nuk vajti për specializim, në Selanik, Milano, Athinë ! Por një prej tyre që ndoshta deri dje ironizohej gjer në tallje nga ziliqarët e të paaftët, i dha kurajo,forcë e besim gjatë vitit të nëmur ’97. Ishte specializim i kryer 20 vite më parë “Për kirurgjinë e kohës së Luftës”, në ish Spitalin Ushtarak në Kryeqytet… (Ndërsa mua më erdhi në Përmet 4 vjet të shkuara, bashkë me gazetarin Bardhyl nga Konispoli ! ) Erdhi në Maj 2019. U përqafova me shumë dashuri e mirënjohje, menjëherë pas takimit “ekskluziv” me shekullorin Visho Jemini, për të cuar në vend një amanet të Guriut, bashkëfshatarit, veteranit e mikut vizionar…Kujtuam atje buzë Vjosës edhe një poet nga vendlindja e Micos, që i kish kënduar greqisht e shqip lisit tepër të mocëm rrëzë fshatit Llazat e që mbulonte 60 metra sipërfaqe rrethore. Dhe ligjëronin bukur pylli i Dumës e burimi i Skoticit. Gjer në Gravë e Komat. Dhe Kristua(vëllai më i madh) punonte e drejtonte në kooperativë. Adashin tim që e doja shumë, në fund të viteve ’80 nuk munda ta ndihmoja dot për një ndëshkim familjar të pamerituar që e vuajti moralisht e shpirtërisht. Nuk dallova kurrë ndonjë rrëke mërie a qejfmbetjeje…Ai pyll i rrallë përgatiti edhe mjeshtra të përpunimit të drurit, “për të bërë bucela që mbanin ujë të pastër e të freskët dhe fuci që mbanin verë të cilësisë së lartë”. Miqtë e mi në Sarandë e Delvinë, edhe sot më cingërisin e kujtojnë atë titull shkrimi të para 11 viteve. Madje konfirmojnë duke qeshur vazhdimësinë: “Në Vurg, Konispol, Theollogo, Rrëzomë, në Bregun e Detit e gjer në Corraj, Fterrë e Muzinë, po ngrihen ende dolli për kirurgun e dashur Mico Xhaferi ! Vecse ishte një kohë “kur të tjerëve u shkonin pordhët në zemër” përballë marrëzisë të pushtetit “gangster” që desh shoi shtetin. Saranda, qyteti ku kam lënë disa vite nga jeta ime dhe u bëra për herë të dytë baba, lëngonte rëndë si tramundanë. Ishte e tëra në “reaminacion”…
-Më dëgjo pak, miku im ! Atje, buzë Gumenicës, kam parë një burrë të trishtuar gjer në kockë dhe si të thinjur plotësisht e egërsisht brenda një nate zezonë. Përqafoi bashkëshorten Nikoletë dhe u kthye i sfilitur e sydjegur për në Sarandë. Ndërsa kolegë e miq të tij u hodhën matanë. Lanë punë, shtëpi e katandi si të përzënë nga mortaja a lebroza…
Por kirurgut të vjetër iu prenë gjunjët përballë braktisjes së padëshiruar. U kthye në qytetin e tij të shenjtë, në vatrën e sakatosur rëndë. Atëhere kur nuk pipëtinte as shteti, as ligji, as zogu në pemë e në qiell. Përmes asaj mjegullnaje e marrëzie, cdo gjë grisej nga plumbat dhe krismat.
Vajti drejt e në Spital, në pavionin e shkatërruar të kirurgjisë. Në atë godinë të zinte të qarët. Nuk ndieje më erën e ilaceve, por vetëm atë të barutit që shuante sytë e pafajshëm të shumë bashkëqytetarëve të vet. Ishte prill gonxhepërgjakur !
Një sarandiot i nderuar po jepte shpirt pas një breshërie kallashnikovi në zemër. Një tjetri i jepej frymë në “reanimacion”. Në atë situatë shokante, kirrurgu po kryente përpunimin e plagës dhe drenimin e toraksit. Trajtimi i mëtejshëm do të bëhej në spitalin e Janinës. Tri ambulanca ishin rrëmbyer nga banditët. Shkatërrime e vjedhje të padëgjuara ndonjëherë.
Gati 2 muaj spitali funksionoi vetëm me repartin e kirurgjisë dhe me një shofer. Ky i fundit pa vdekjen me sy, kur i bënë dy atentate rrëmbimi, i thyen disa dhëmbë dhe ia “bënë trupin për qepë e kripë”. Ambulanca e vetme po vonohej nga Janina ku kish cuar një fëmijë të gjymtuar rëndë nga një granatë luftarake. C’farë ndodhi ? Grupi rival i një viktime hyri i armatosur në dhomat e kirurgjisë dhe u drejtuan grykat e zjarrit mjekëve në detyrë. Madje një birbo i hoqi siguresën granatës që mbante në dorë. Dhunim i pashembullt në një nga tempujt e humanizmit. Terror në reanimacion ?!…O Zot, Sarandës c’i panë sytë ! Atëhere askush nuk e mori vesh burimin e lotëve të Mico Xhaferit për kolegun e dashur Zamir Shazi në Veri, kirurgu që iku në atë botë nga plumba kallashnikovi… Vetëm muret e Kirurgjisë mund të dëshmojnë plotësisht ato lemeri të pashkruara. Ah, ’97 mos ardhsh kurrë ! …
Le të jetë ky shkrim në vend të një kartoline urimi a dollie jo të rëndomtë për Njeriun e mirë dhe Kirurgun duarartë “Mjeshtër i Madh”, që sot mbush 80 vjec dhe mban ende lart me pasion e dashuri Betimin e Hipokratit, atje, në skajin më jugor të mëmëdheut. Dhe gjithnjë me devizën e tij personale : “Jeta është njëlloj e shtrenjtë, si në Kryeqytet dhe në Periferi !”…