Të huajt që punojnë blejnë shtëpi në Sarandë, çmimet rriten 40%

Në Sarandë vazhdon rritja e çmimeve të pronave. Vitin e shkuar, çmimi minimal për apartamentet e reja sipas agjencive mobiliare varionte nga 1,200 deri 1,300 euro/m², ndërsa çmimi maksimal arrinte deri në 1,800 euro.

Në vitin 2023, apartamentet e banimit në zonat e reja rezidenciale po shiten me çmim mbi 1,500 deri 2,500 euro/m². Ndërsa çmimet e pronave buzë detit, specifike për verandën me sipërfaqe të madhe apo suita rezidenciale vijojnë të shiten 3,000 – 3,500 euro/m².

Eron Çumani, administratori i agjencisë “Investment Property Sarandë”, thekson se krahasuar me vjet, çmimet e apartamenteve në Sarandë janë shtrenjtuar me 40%. Arsye e rritjes të çmimeve është kërkesa e shtuar nga të huajt, por edhe shtrenjtimi i kostove të ndërtuesve nga lëndët të para.

“Në Sarandë, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja variojnë mbi 1,500 euro, nga 1,200 – 1,300 euro/m² që u shitën vjet.

Çmimet maksimale janë nga 1,500-2500 euro/m². Ndërsa për disa prona me pozicion të favorshëm pranë detit, me verandë, pra suita, çmimet variojnë 3,000 – 3,500 euro/m².

Mesatarisht, rritja e çmimeve këtë vit është 35 – 40%. Për një pronë bashkëkohore me sipërfaqe 65 m², çmimi i shitjes arrin deri në 100,000 euro, nga 70,000 – 80,000 që ishte më parë.

Shtrenjtimi nisi menjëherë pas luftës Rusi-Ukrainë, për shkak të rritjes së lëndëve të para të ndërtimit. Ndërtimet e reja janë luksoze dhe përfshijnë në rezidencën e banimit edhe ambiente palestre, SPA apo pishina. Te rritja e çmimeve ndikoi edhe shtimi i kërkesës.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, pati bum kërkesash për blerje pronash nga ukrainasit që ndikuan te çmimi.

Ata kërkonin apartamente 1+1 apo 2+1 kur ishin familje me shumë anëtarë. Përveç konfliktit në vendin tyre, arsye e rritjes së kërkesës ishte edhe ofrimi i qëndrimit pa viza apo lehtësitë në kryerjen e transaksioneve të blerjes që u dhanë për këta shtetas”.

Z. Çumani nënvizon se kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si: gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët.

“Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime”.

Blerësit potencialë, sipas tij, janë ata të moshës mbi 40 vjeç deri në 70 vjeç që zgjedhin prona luksoze, ndërsa grupmosha e blerësve 35 deri 40 vjeç dominohet nga nomadët dixhitalë, kryesisht të profesioneve IT.

“Të huajt që investojnë shuma mbi 100,000 euro për prona janë nga vendet perëndimore dhe e kanë për qëllim banimi. Këta shtetas aplikojnë edhe për leje qëndrimi njëvjeçare.

Kërkesa është rritur edhe nga nomadët dixhitalë, që kanë elasticitetin e të punuarit online”.

Sipas llogaritjeve të agjencisë, kthimi i investimit për pronë në Sarandë, nëpërmjet qiradhënies, është 10 deri në 15 vjet.

Z. Çumani thekson se me përfundimin e projekteve strategjike brenda 5 viteve, çmimet e apartamenteve në Sarandë do të arrijnë sa në Montekarlo, gjithmonë nëse tendenca e blerjeve do të orientohet nga të huajt.

Saranda

Kërkesa për prona në Sarandë dominohet nga të huajt, si: gjermanët, suedezët, holandezët, danezët, anglezët, italianët. Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira, pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për pushime.