Rama në Berlin: Na duhet të bëjmë më shumë për turizmin luksoz, në 2030 bëhemi kampionët në Ballkan
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Berlin një takim me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive të njohura turistike në Gjermani, si dhe botues e drejtues të revistave prestigjoze për turizmin, në një diskutim mbi perspektivën e Shqipërisë.
Në diskutimin për turizmin, kryeministri Rama tha se sot Shqipëria është një vend se ka çfarë destinacionesh të ofrojë, nga plazhet turistike, tek vendet malore e sitet arkeologjike, por edhe traditën e saj mikpritjen.
Kreu i qeverisë u shpreh se turizmi në Shqipëri ka ecur përpara dhe theksoi se deri më tani janë hapur 260 destinacione agroturistike në krahasim me zero që ishin kur kanë ardhur në qeveri.
“Sot erdha se më në fund, ne kemi, jo vetëm një prezencë shumë të mirë këtu, por kemi çka të tregojmë dhe çfarë të themi për t’i ftuar njerëzit të vijnë. Ka qenë një rrugë e gjatë.
Na u desh ta nisnim nga një pozitë vërtetë e keqe dhe praktikisht me shumë paragjykime që duhet t’i luftonim. Nuk ka përfunduar. por fakti qe jeni këtu tregon se kemi ecur në drejtimin e duhur.
Shqipëria nuk ka vetëm plazhet apo bregdetin e bukur apo malet e jashtëzakonshme, por ka edhe mikpritje e mirëfilltë dhe atmosferën e ngrohtë brenda saj. Ne ia dolëm.
Turizmi ynë po rritet. E kemi nisur nga zero e tashmë kemi më shumë se 260 destinacione agroturistike e po përmirësohen më tej. Kur vjen fjala për të huajt, Shqipëria është vendi më i mirë dhe mrekullueshëm sepse ju trajtoheni si në shtëpinë tuaj”, u shpreh Rama.
Duke u ndalur në shifra, kreu i qeverisë tha se aeroporti ‘Nënë Tereza’ është i pari në Europë që është ringritur me 123% vitin e kaluar. Rama tha se sfidë mbetet që Shqipëria të bëjë më shumë turizmin luksoz dhe se po bëhet një analizë e legjislacioneve të vendeve fqinje për të përgatitur një ligj për investuesit.
“Shifrat e turizmit po rriten gjithandej në çdo vend, nga çdo vend. Aeroporti ynë është i pari në Europë pas pandemisë që është ringritur me 123% vitin e kaluar që janë të dhënat zyrtare të agjencisë euoropiane të transportit ajror.
Hotelet po ndërtohen ditë pas dite natyrisht duhet të bëjmë më shumë për turizmin e nivelit të lartë. E kemi nisur, por na duhet të bëjmë më shumë në turizmin luksoz, ndërkohë që kemi punuar shumë për të bërë një analizë të mirë të legjislacionit të vendeve fqinje dhe po bëjmë një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit”, tha Rama.
Rama thotë se synon që në vitin 2030, Shqipëria të jetë kampione e turizmit në Ballkan. Ndërkohë Rama u ndal edhe tek lumi Vjosa, i cili së shpejti do të marrë statusin Park Kombëtar.
“Të zhvillosh turizmin është një ambicie shumë, shumë e madhe dhe është po kështu edhe një sfidë e madhe sepse na duhet të jemi të ekuilibruar midis zhvillimit dhe mbrojtjes dhe konservimit.
Praktikisht gjatë viteve të fundit kemi rritur masën e zonave të mbrojtura. Kemi një ngjarje mjaft të madhe në javët që vijnë, që ka të bëjë me deklarimin e lumit tonë Vjosa, Park Kombëtar. Është shumë, shumë i rëndësishëm si lumë për Evropën se thonë që është lumi i fundit i egër në Evropë.
Sigurisht që ka mbetur i fundit sepse të tjerët u kthyen nga “tigra” në “mace” për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon ne që ta ruajmë lumin e fundit të egër dhe edhe ne duam që ta ruajmë.
Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin dhe ne do ta ruajmë. Sigurisht kanë thënë që duhet të investojmë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë çka investojmë në turizëm sepse duhet të shkojmë gjithmonë e më tepër drejt një turizmi që është luksoz dhe i bazuar në natyrë, jo luksoz sipas stilit të vjetër.
Nuk është e lehtë, por ne po përpiqemi. Shpresojmë dhe objektivi ynë për 2030-ën është të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm. Sigurisht kur themi në Ballkan nuk e kemi fjalën për Greqinë dhe Kroacinë, që të jemi të qartë, as për Turqinë.
Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera. Në vitin 2029, ne do të jemi eksportues neto të energjisë, pra do të plotësojmë vetë nevojat tona.”– u shpreh Kryeministri Rama.