Deri më sot kemi një flamur të Vorio Epirit dhe një kalë blu
Nga Frrok Çupi
Të gjitha të tjerat që i përkasin një fushe beteje për zgjedhjet e 14 Majit, mungojnë. O nuk kanë ardhur ende, o kanë tentuar por janë ndalur rrugës. Dëshmia e parë e fushatës (flamuri dhe kali) vjen me frikën se këto do të jenë simbolet e luftës së Opozitës për zgjedhjet e fuqisë lokale të 14 majit. Në inversin e tyre, simbolet kanë lidhje të ngushtë me njëri tjetrin:
Të dy figurinat janë totemë.
Në rastin e parë të flamurit të Vorio Epirit:
Totemi Vorio Epir u shfaq dje në fushatën e Partisë së Lirisë dhe të Të Drejtave të Njeriut, në Mykonos të Greqisë. I ngarkuari me punën e kandidatit për të dy këto parti, quhet Fredi Bejleri. Supozohet se pas fitores së tij në zgjedhjet e 14 Majit do të jetë kryetar i Bashkisë në Himarë. Atëherë, vallë ç’i duhet totemi në këtë kohë moderne? Aq më tepër totem për një ‘realitet’ që nuk ka ekzistuar kurrë. Epiri është një tjetër gjë, por Vorio Epiri ka shërbyer si një përfytyrim dhe falsifikim i historisë së Epirit. Po kaq, ose edhe më e kaluar në kohë, është totemi si frymëzim betejash. Edhe sot ka pakica të prapambetura njerëzish si në Australi, Afrikë apo Amerikë, ku në ceremoni të ndryshme ose edhe në luftë, veshin lëkurën e kafshës së caktuar. Anëtarët e fisit të një totemi shpesh besojnë se janë të lidhur me kafshën e totemit dhe se kanë prejardhje të përbashkët… Vorio Epiri, si një shkak i sajuar për të shkaktuar konflikt mes shqiptarëve dhe grekëve kufitarë në Ballkan, tashmë është një gjë e tejkaluar nga të dy palët. Ose le të afrohemi me kafshën e ngordhur të totemit, dhe Vori Epiri na shfaqet i vdekur. Atëherë pse e vesh këtë ‘lëkurë’ kandidati i Partisë së Lirisë dhe të të Drejtave, Fredi Bejleri?
Përgjigja më e afërt është se nuk besohet që ai të besojë në marrëzinë se mund të ngjallë prapë konflikt greko- shqiptar. Por që do të bëjë një gjë që lidhet me origjinën e tij të lidhur me ‘totemin’ Vorio- Epir, kjo ka shumë të ngjarë. Fredi Bejleri është personi që ka ende të hapur ( të paktën që nga 1994 deri në vitin 2019) çështjen e vrasjes së dy ushtarakëve shqiptarë në Peshkëpi, nga komando greke, në vitin 1994. Fredi Bejleri është i akuzuari kryesor për ngjarjen…
Në rastin e dytë të kalit me krifshë blu:
Të enjten e kaluar, ditën kur Foltorja rrëzoi Edi Ramën për të 91- tën herë, mes nja njëqind protestuesve pranë xhamisë së Namazxhasë në Tiranë, u shfaq një burrë i veshur me stil malësor, hipur mbi kalin e bardhë e blu.
Pastaj zbriti dhe deklaroi se vinte me kalë që nga fshatrat e Laçit dhe se do të rrëzonte Edi Ramën prapë. Kali ishte vetëm totemi i këtij udhëtimi, ndërsa e vërteta e kohës fshihej në fjalët e tij. Ai nuk kërkoi asgjë nga qeveria shqiptare, por vetëm nga Sali Berisha. Kërkoi drejtpërdrejt: ‘Eja në shtëpinë time, shiko si jetoj, shiko që jam edhe i sëmurë…, dhe bëj si të mundesh”. Për këtë qëllim veshi lëkurën e kalit. Malësori me kalë e di mirë se ç’lëkurë të veshë… Po të veshë lëkurën e politikës së kohës, ai nuk fiton asgjë, madje as e pranojnë aty rrotull SHQUP. Nga të gjithë sivëllezërit e tij në protesta, malësori me kalë ka kuptuar se duhet të përfitojë diçka me rastrin e kësaj ‘feste’ me totemë. Kjo arrihet vetëm me anë të Sali Berishës; ai i ka paratë, ai paguan për protestat, ai është ‘burrë zakoni’ që të vjen në shtëpi dhe e zgjidh qesen… Këto mendoi malësori, me siguri, para se t ‘i hipte kalit.
Të dy rastet që bashkohen te lëkura e kafshës së vjetër, ose te totemi:
Si i pari, Bejleri, që kandidon për kryetar në Himarë, ashtu edhe i dyti që tenton për vete një gjë,- këta kanë kuptuar se në ‘festën’ e zgjedhjeve të opozitës ka një rrumpallë ku nuk ka nevojë për principe. Politika e opozitës është më se arkaike. Bejleri tenton ta sjellë totemin e viti 1994 edhe si lavdi personale, por nuk është se i shkon shumë. Ajo çfarë arrin Bejleri me këtë rast është se ‘pazarin e prisha, por gjë nuk fitova’. Ndërsa njeriu me kalë të bardhë e blu, me siguri ndodhet këtej rrotull Kamzës por bën si i vuajtur nga rruga e gjatë. Një gjë do ta fitojë, ose përkundër, pas 14 majit do ta bëjë kalin me ngjyrën pink.
Prapë totem do të veshë…