Vjollca Mezini ndër të vetmet që vijon traditën në pazarin e Gjirokastrës
Prej 20 vitesh qëndistarja Vjollca Mezini administron në pazarin e gurtë të Gjirokastrës një qendër të punimeve në tekstil tradicional. Por cilat janë ndjesitë e saj për profesionin që ushtron.
“Është shumë emocionuese. Në radhë të parë çdo punim dore ka veçoritë e saj të punës, do dashurinë për të bërë punën e dorës, do të kesh ide dhe kreativitet që të bësh punën e dorës. Një kostum popullor ka shumë talente brenda. Në fillim duhet të hidhet saktësisht modeli. Në radhë të parë modeli dhe dizajni ti bazohen traditës tonë,” – tregon ajo.
Ajo që vlerëson më shumë qëndistarja nga puna e saj disa vjeçare, është vlerësimi që merr nga vizitorët.
“Ka rastisur që ka pasur edhe të huaj që kanë ardhur për shembull para shumë viteve dhe rikthehen përsëri dhe më kanë sjellë kartolina dhe foto të atyre viteve më parë që kanë qenë në dyqan. Kemi dalë bashkë, kemi komunikuar për punët e dorës. Domethënë janë njerëz që vlerësojnë punën e dorës dhe mundin e grave gjirokastrite,” – u shpreh Mezini.
Punimet me dorë pëlqehen shumë kohët e fundit, gjë që ka ndikuar në rritjen e kërkesës për zejet tradicionale.
“Po rikthehet shumë sidomos për të arreduar dhomat edhe hotelet gjirokastrite, bujtinat që bëjnë nëpër fshatra. Të gjithë në përgjithësi i mbahen traditës së vjetër siç i kishim ne në shtëpitë tona me nënat tona, me perde të bardha, me anla minderi, me mbulesa të bardha me dantellë të çilteve. Çdo gjë mundohen ti bazohen karakteristikes dhe dizajnit të qytetit tonë,” – tha ajo.
Vjollca është ndër të paktët qëndistarë të talentuar që kanë mbetur në qytetin e gurtë. Ajo e trashëgoi këtë nga gjyshja e saj e cila punonte me murgeshat italiane dhe qëndiste gjatë Luftës së 2-të botërore.