Vjedhja e 173 milionë lekëve në Sarandë, gjykatat lirojnë dy të dyshuarit
Dy të dyshuar për vjedhjen e 173 milionë lekëve në 11 dhjetor të vitit 2021 në supermarket “Halo” në Sarandë, janë lënë të lirë.
Bëhet fjalë për Edmond Duzhën, 42 vjeç dhe Bekdash Cukallan 39 vjeç, të cilët u lanë të lirë me dy vendime të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe asaj të Sarandës, rreth dy muaj më parë.
Fillinisht ata lanë qelitë në 29 shtator dhe për ta u caktua masa “Arrest në Shtëpi”. Më pas në 20 nëntor Gjykata e Apelit të Gjirokastrës ka liruar përfundimisht Cukallën dhe në 6 dhjetor Gjykata e Sarandës liroi edhe Duzhën.
Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gjyqtari Fatmir Ndreu i Sarandës, duke u mbështetur edhe në kërkesën e Prokurorit Ilir Hoxha, vendosi lirimin e Edmond Duzhës me argumentin se “Gjykata, duke vlerësuar objektivisht rrethanat e çështjes objekt hetimi, me qëllim që të ruhet edhe barazia në trajtimin e shtetasve nën hetim, çmon të zëvendësojë masën aktuale me atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” duke shtuar edhe masën ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’”.
Ndërsa lidhur me lirimin e Cukallës nuk dihet ende sesi Gjykata e Apelit e ka argumentuar vendimin e saj.
Sipas dosjes së Prokurorisë hetimet e së cilës po kryhen nga prokurori Ilir Hoxha, ne vjedhje morën pjesë 3 persona, të cilët vodhën rreth 173 milionë lekë brenda një supermarketi të njohur në qytet. Gjatë grabitjes, ata morën edhe dy pajisje të regjistrimit të pamjeve filmike të kamerave. Megjithatë, natën e 11 dhjetorit rreth orës 01:30, ata janë filmuar nga kamera të tjera të ambientit të katit të dytë të subjektit teksa hynin nga një dritare.
Më pas një tjetër filmim me rendësi është ai në orën 02:52, ku shfaqen po këta shtetas dhe në duar mbajnë dy aparatura të llojit “DVR” si dhe dy çanta me rripa. Pikërisht në çanta mendohet se ndodhet shuma prej 155 milion lekë të vjetra, 14 mijë euro dhe 1 mijë dollarë amerikanë.