“Bonusi i Rijetësimit”, emigranti nga Gjirokastra shndërron në bujtinë ndërtesën monument kulture
“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale historinë e një emigranti nga Gjirokastra, i cili është përfitues i këtij bonusi, falë të cilit ka shndërruar në bujtinë një godinë tejet të amortizuar.
“Pas vitesh në emigracion, Mariglen Ligu u kthye në vendin e lindjes dhe investoi në sektorin e turizmit. Me mbështetjen e Bonusi i Rijetësimit, ia arriti të shpëtojë një ndërtesë, monument kulture, kategoria II, në Gjirokastër, duke e shndërruar në një bujtinë”, shkruan Margariti.
Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.
Ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.