DETAJET: Sarandë, zbuluan lidhjen intime me vajzën e tyre (që ishte e martuar), familjarët marrin peng e dhunojnë rëndë të dashurin

Ngacmimi në mënyrë të vazhdueshme dhe krijimi i një lidhje intime me një grua të martuar, është bërë shkak për marrjen peng dhe dhunimin e rëndë të Gentian Omerit.

Ky i fundit ishte duke udhëtuar nga Konispoli në drejtim të Tiranës, kur gjatë orëve të mesnatës është sulmuar me makinë, duke u rrëmbyer, futur në bagazh dhe dhunuar fizikisht nga 4 personat.

“Ora News” mëson ekskluzivisht se shkak i përshkallëzimit të kësaj ngjarje, është bërë lidhja intime që Omeri kishte krijuar me vajzën e Astrit Ndoj nga Konispoli dhe motrën e 2 vëllezërve, Anton dhe Aleksandër Ndoj.

Omeri, kishte disa kohë që ngacmonte një vajzën e tyre, e cila rezulton e martuar, por nga ana tjetër kishte krijuar një lidhje jashtë martesore.

Mes kësaj lidhje të jashtëligjshme, kishte hyrë dhe Gentian Omeri, i cili gjatë kësaj kohe ngacmonte pikërisht gruan, por kjo lidhje kohët e fundit ishte zbuluar nga babai, dy vëllezërit dhe xhaxhai i saj.

Si pasojë e konfliktit verbal mes tyre, në mesnatën e 19 janarit 2023, Gentian Omeri, teksa po udhëtonte më makinën e tij drejt Tiranës, është goditur me mjetin ku lëviznin 4 personat, Pjetër Ndoj, Anton Ndoj, Aleksandër Ndoj dhe Astrit Ndoj, duke i shkaktuar atij aksident dhe nxjerrë makinën nga rruga.

Mjeti është ndalur në një kanal. Ndërsa katër personat kanë zbritur nga makina e tyre, duke e rrëmbyer forcërisht Gentian Omerin dhe futur atë në bagazhin e makinës.

Omeri është çuar në një vend, në fshatin Xarë, ku e kanë lidhur dhe më pas rrahur për ca orë, duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup.

Më tej 4 personat, e kanë marrë dhe hedhur në një kanal, pasi kishin menduar se Gentian Omeri, kishte ndërruar jetë si pasojë e dhunës

Katër autorët janë mundur të identifikohen nga kamerat e sigurisë të disa prej bizneseve në zonën e Konispolit dhe Sarandës, duke mundësuar dhe arrestimin e tyre mesnatën e djeshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Fier dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Gjatë momentit të arrestimit, asnjëri prej 4 personave nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke çuar duart lart.

Ndërsa në ditët në vijim dy vëllezërit Astrit Ndoj dhe Pjetër Ndoj së bashku me dy djemtë e Astritit, shtetasit Anton dhe Aleksandër Ndoj, pritet të dalin para gjykatës së Sarandës, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë prokuroria.

Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”, “Heqje e paligjshme të lirisë” dhe “Shkatërrimi i pronës” të kryer në bashkëpunim.