Kallëzohet penalisht Shaban Memia për grabitjen e Gjirit të Kakomesë, ia kaloi biznesmenit Luan Lekasi pronën e banorëve të Nivicës

1005 banorë të fshatit Nivicë kanë kallëzuar sot penalisht në Prokurorinë e Sarandës, Shaban Meminë ish-drejtorin e Sali Berishës në krye ALUIZNI-t, me akuzën se ka grabitur Gjirin e Kakomesë, duke ia kaluar biznesmenit Luan Leka, për ndërtimin e një fshati turistik, i cili deri më sot ka mbetur vetëm në letër.

Gjithashtu, banorët kanë kallëzuar penalisht edhe tre prokurorë të Sarandës pasi ka dy vite që mbajnë peng dosjen e Kakomesë, me protagonist Luan Lekën, i cili akuzohet nga banorët për zaptimin e 20 hektarë tokë në Gjirin e Kakomesë. Para depozitimit të kallëzimit penal, banorët e Nivicës, pjesë e Bashkisë Himarë, protestuan para Prokurorisë së Sarandës, për zaptimin e pronave, çka ka sjell zvarritjen 30-vjeçare të procesit të hipotekimit të tokave të përfituara me ligjin 7501. Ata ka tre dekada që sorollaten sa në bashki, hipotekë dhe gjykatë, duke nisur kalvarin nga fillimi.

“Kallëzimi që do të bëjmë sot është për tre prokurorët e Sarandës, të cilët ka tre vite që mbajnë peng dosjen e Kakomesë, për rrethimin që ka bërë firma të 110 hektarëve. Drejtori i ALUIZNI-t në atë kohë ka bërë privatizimin për një fshat turistik. Në Kakome nuk ka fshat turistik. Shaban Mamia ka privatizuar tokat tona”, tha njëri nga përfaqësuesit e banorëve.

Bëhet fjalë për 464 ha tokë bujqësore të trashëguar brez pas brezi, të shtetëzuara nga regjimi komunist dhe të rikthyera 30 vite më parë. 20 hektarë nga ko tokë ndodhet në buzë detit në Kakome. Ndërkaq, Gjiri i Kakomesë është i rrethuar nga një kompani private e Luan Lekës, e cila ka arritur të hipotekojë 110 ha tokë. Kompani ka 15 vite që pretendon se po zbaton një projekt për fshat turistik, por që deri më sot nuk ekziston. Banorët kanë certifikatën e tokës, por prona e tyre është e rrethuar.

Në protestën e sotme, banorët i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndërhyjë dhe të çlirojë Gjirin e Kakomesë. “Kemi njerëzit tanë në Tiranë që punojnë kundra nesh. I lutemi kryeministrit shqiptar të vërë dorë nga kjo orë për të zgjidhur këtë problem, sepse ne nuk tërhiqmi, nuk ikim nga shtëpitë tona. Të ndalohen provokimet dhe provokimet. Këtu është një korrupsion i paparë nga prokuroria, gjykata, policia dhe të gjithë. Ne i kemi tokat me tapi dhe nuk shkojmë dot në Kakome. Këto toka i kemi me qindra vite. Na i mbajti regjimi komunist. Tani po na i mbajnë këta me korrupsion”, tha një nga banorët.

Një banorë tjetër tha se pronat po ua grabisin me një ligj korruptiv. “Ligji që kanë ndërtuar këta është i rënë juridikisht, sepse unë kam të drejtë të kërkoj pronën time jo deri në 10 vjet, por edhe pas 100 viteve”, tha një banor tjetër. Banorët e Nivicës pretendojnë se pas zaptimit të pronave të tyre fshihen politikanë në Tiranë.