Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër, festë e dhurata për Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë

Në prag të festave të fundvitit, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit në Gjirokastër zhvilluan një aktivitet me Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e stadiumit “Butrinti” të Sarandës dhe përveç fëmijëve, edukatoreve, morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Sarandë dhe kryetari i SHRFGJ-së, Sadik Sadikaj.

SHRFGJ dhe FSHF kishin përgatitur disa dhurata për të vegjlit e Shtëpisë së Fëmijës, si edhe një koktejl modest për ta bërë atmosferën sa më festive.

Gjithashtu, në këtë aktivitet morën pjesë edhe disa futbollistë të vegjël nga ekipet e Sarandës së bashku me prindërit e tyre, ndërkohë që u zhvillua edhe një ndeshje simbolike mes ekipeve të moshave të Sarandës dhe fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve, duke krijuar kështu një atmosferë të shkëlqyer që futbolli di ta dhurojë.

Nga ana e tij, Kryetari i SHFGj-së, Sadik Sadikaj, premtoi mbështetje të vazhdueshme për Shtëpinë e Fëmijës Sarandë si nga shoqata ashtu edhe nga FSHF, dhe shikimin e mundësisë për t’i angazhuar fëmijët në ekipet e moshave të qytetit apo për krijimin e një ekipi të posaçëm të këtij institucioni dhe përfshirjen në kampionatet e moshave që organizon FSHF.

Përfaqësuesit e Bashkisë Sarandë dhe Shtëpisë së Fëmijës falënderuan FSHF-në dhe SHRFGJ-në për këtë iniciativë dhe ishin mjaft të kënaqur për nismën e shprehën dëshirën për të pasur aktivitete të ngjashme, teksa u shprehën të entuziazmuar për mundësinë e përfshirjes së fëmijëve edhe në ekipet e moshave.