Zhupa: “Eco Campus” në Sarandë nuk është në funksion

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në vijim të reagimit për gjendjen e shkollave në vend, u ndal sot në shkollën “Eco Campus”, në Sarandë.

Sipas saj, “Eco Campus”, një godinë e ngritur me taksat e qytetarëve të Sarandës dhe Shqipërisë, e cila do të duhej të funksiononte si shkollë, është jofunksionale .

“Edhe vjet kam ardhur dhe kam bërë denoncimin si një godinë jo funksionale dhe me vënien në funksionim të kësaj, do të kishim shmangur mësimin me turne për të gjithë nxënësit e qytetit të Sarandës. Ja kam parashtruar ministres Kushi në komision, dhe ajo më tha në tetorin e kaluar, se shumë shpejt do të vihej në punë, sepse ishte gati. Në fakt, kaloi 1 vit dhe ne po hymë në tetorin e vitit 2022 dhe siç e shikoni është thjesht një godinë e mbyllur në të cilën as nuk punohet dhe as nuk parashikohet që të hapet për nxënësit e Sarandës”, tha Zhupa.

Sipas saj, bëhet fjalë për investime që rrinë kot, para të hedhura kot dhe mësimi bëhet me turne në shkolla pa standarde.

“Arsimi është në rrezik, nxënësit e Sarandës nuk e meritojnë të arsimohen në shkolla pa standarde dhe me turne, por dhe gjithë nxënësit e Shqipërisë, nuk e meritojnë këtë arsim që kemi sot”, tha Zhupa.