Prokurori i Sarandës Kledian Llaho jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin
Prokurori Kledian Llaho i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë u përball të hënën më 19 dhjetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës për mungesë burimesh në kriterin pasuror, si dhe për gjetjet në disa çështje të hetuara dhe përfaqësuara prej tij. Laho evidentoi pasaktësi të Komisionit në kryerjen e analizës financiare duke pretenduar se rezultonte me bilanc pozitiv, si dhe paraqiti qëndrimin e tij për secilën prej çështjeve të relatuara në seancë.
Procesi i vetingut për prokurorin Llaho po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Kledian Llaho e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si oficer i policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2014, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2022 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Sarandës, ku aktualisht mban dhe funksionin e drejtuesit.
Mungesat financiare
Komisioni konstaton mungesë burimesh fiannciare për blerjen e një garazhi në Durrës në vitin 2014 kundrejt çmimit 500 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Llaho ka deklaruar kursimet familjare, por nga verifikimi deklarimeve periodike ka rezultuar se ai nuk ka pasqyruar kursime për periudhën kur ushtronte detyrën si oficer i Policisë Gjyqësore. Sipas relatores Shuli, bazuar në deklarimet e subjektit, është konstatuar pamundësi financiare për mbulimin e çmimit të garazhit në 2014-ën.
Llaho ka deklaruar në vitin 2015 krijimin e një depozite në vlerën 5 milion lekë dhe si burim të kësaj pasurie, të ardhurat nga shitja po atë vit e një apartamenti në shumën 7 milionë lekë, pasuri që e kishte bleë në 2014-ën për çmimin 50 mijë euro.
Shuli shpjegoi se, pavarësisht se apartamenti është blerë përpara fillimit të detyrës si prokuror, Komisioni ka verifikuar mundësinë e Llahos për krijimin e kësaj pasurie. Si burime krijimi të apartamentit, Llaho ka deklaruar kursimet familjare.
Një prej pagesave për apartamentin në shumën 10 mijë euro rezulton të jetë kryer nga një depozitë e nënës së subjektit, po me këtë vlerë. Subjekti ka shpjeguar se nëna e krijuar depozitën me të ardhurta e pagës së tij dhye të bashkëshortes, po nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 288 mijë lekë për kursimin e vlerës 10 mijë euro.
Llaho ka deklaruar si burim edhe 7000 euro të dhëna si ndihmë nga vëllai që jeton dhe punon në Itali. Por për shkak se vëllai rezulton që të ketë blerë një apartament të tijin në të njëjtin pallat dhe në të njëjtën periudhë për çmimoin 49 mijë euro, nga analiza financiare është konkluduar balancë negative në shumën 1668 euro.
Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme në pagesën e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit me një kredi bankare në shumën 2.5 milionë lekë. Po ashtu, ka rezultuar se prindërit e bashkëshortes kanë pasur mundësi për t’i dhënë shumën 1.5 milionë lekë që ka shërbyer për apatamentin.
Por, prindërit e bashkëshortes janë gjetur në pamundësi në vlerën rreth 537 mijë lekë për t’i dhënë djalit të subjektit shumën 7000 euro në vitin 2013. Shuli sqaroi se subjekti ka pretenduar të ardhura të vjehrrit nga dhënia me qira e ambjenteve në Sarandë dhe se nuk ëshë kujdesur të formalizojë marrdhënien për shkak se nuk ka qenë subjekt deklarues.
Nga analiza e përgjithshme paraprake për burimet financiare që kanë shërbyer për apartamentin, ka rezultuar balancë negative në vlerën 1 milion e 390 mijë lekë për investimet e kryera dhe mbulimin e shpenzimeve.
Prokurori Llaho e vlerësoi hetimin e Komisioni si shterues, por ai evidentoi disa pasaktësi në analizën financiare, duke pretenduar se ato e sillnin balancën negative. Llaho konstatoi se nuk ishte përllogaritur në analizë paga e bashkëshortes gjatë vitit 2009 në shumën 297 mijë lekë, si dhe pensionet e nënës për tre vjet në shumën 287 mijë lekë.
Ai kërkoi që t’i ulen shpenzimet për dy udhëtime që sipas tij janë mbuluar nga OBDAT dhe GIZ. Sipas Llahos, nëse do të saktësohen këto parregullsi, atëherë do të rezultonte me balancë pozitive për pagesën e këstit të parë në shumën 10 mijë euro.
Subjekti pretendoi se prindërit e bashkëshortes kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e shumës 7000 euro për djalin e tij. Ai solli në vëmendje faktin se vjehrra e kishte kryer transfertën nëpërmjet sistemit banakr, duke theksuar se ky fakt tregonte se prindërit e bashkëshortes ishin të sigurtë për burimet e vlerës 7000 euro.
Llaho shpjegoi se vjehrri nuk i kishte formalizuar kontratat për qiradhënien e garazheve pasi nuk i kishte pasur ende të regjistruara. Sipas tij, vjehrri kishte pasur marrdhënie të mira me qiramarrësisn dhe se pagesat për rreth gjashtë muaj ishte kryer cash. Subjekti kërkoi që të përfshihet në analizë vlera 498 mijë lekë që vjehrri ka përfituar nga qiradhënia e garazheve në Sarandë.
Në vijim, Shuli realatoi për përdorimin nga subjekti të një apartamenti në Vlorë, por që nga hetimi nuk është konstatuar ndonjë indice për konflikt të mundshëm interesi.
Relatorja evidentoi një konstatim të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI për shkelje të ligjit për konfilktin e interesit, pasi prindërit e bashkëshortes që zotërojnë aktivitet privat, kishin lidhur kontrata me institucionet shtetërore. Nga sa u relatua në seancë, kontratat kishin qenë në vlera 22 mijë lekë dhe 69 mijë lekë.
Shuli pohoi se subjekti ka pretenduar se ndihma e dhënë nga prindërit e bashkëshortes është në kohë të ndryshme nga momenti i lidhjes së kontratave me institucionet shtetarore. Po ashtu, ai ka shtuar se në kohën kur janë lidhur këto kontrata me institucione vendore në Sarandë, ai punonte në Vlorë ndërsa bashkëshortja në Durrës.
Edhe gjatë seancës dëgjimore, Laho theksoi se vjehrri i ka dhënë ndihmat përpara se ai të emërohej si prokuror. Ai vërejti se nuk bëhej fjalë për prokurime publike, por kontrata me vlera të vogla për të cilat ishte lëshuar faturë tatimore. “Mungon përputhja në vlerë dhe në kohë. E kam ushtruar detyrën në rreth tjetër dhe nuk kam lidhje me aktiivtetet e institucioneve. Nuk qëndron konflikti i interesit”, këmbënguli Llaho.
ILDKPKI ka administruar edhe një informacion sipas të cilit pretendohet se prokurori Llaho ka investuar së bashku me vjehrrin në dy katet e sipërme të hotelit që zotëron familja e bashkëshortes në Sarandë.
Sipas Shulit, subjekti e ka cilësuar të rremë këtë informacion, duke këmbëngulur se hoteli është ndërtuar me katër kate para vitit 2007, kur ai ka lidhur kurorë me bashkëshorten.
Llaho deklaroi se ai dhe bashkëshortja nuk kishin asnjë kontribut në ndërtimin e hotelit në Sarandë. Sipas tij, denoncuesi ka qenë person nën hetim dhe i proceduar disa herë, “Qasja e tij kuptohet”, tha Llaho lidhur me denoncuesin.
Ai pretendoi se ishte e qartë se prindërit e bashkëshortes e kishin nisur aktivitetin prej vitit 1994 dhe se me aktet që kishte dorëzuar, mes tyre dhe ortofoto, provonte se ndërtimi i gjithë objektit të hotelit kishte përfunduar përpara se të lidhte martesë në vitin 2007. “Provat janë në kundërshtim me pretendimet e denoncuesit P.M.”, pohoi Llaho.
Nga analiza financiare paraprake e kryer nga Komisioni ka rezultuar balanca negative në shumën 1 milion e 390 mijë lekë për periudhën përpara fillimit të detyrës si prokuror, ndërsa në vijim nuk kanë rezultuar pamundësi financiare.
Llaho ritheksoi se nëse korrigjohen pasaktësitë e KPK në analizën financiare, atëherë ai rezulton me balancë pozitive në shumën 200 mijë lekë.
Gjetjet për figurën dhe profesionalizmin
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport pozitiv për prokurorin Llaho. Pas përditësimit të informacioneve, janë administruar të dhëna që sipas relatores Shuli, janë shqyrtuar në drejtim të aspektit profesional. Për një kallëzim të kryer ndaj subjektit në vitin 2018 është vendosur mosfillimi procedimit penal.
Llaho solli në vëmendje të Komisionit se Këshilli i Lartë i Prokurorisë e kishte vlerësuar pozitivisht. Në vijim ai iu ndal në gjetjet e KPK për disa çështje penale të hetuara e përfaqësuara prej tij, për një pjesë të të cilave u evidentuan mes të tjerash mosrespektim afatesh dhe pretendime të denoncuesve për zvarritje hetimesh, për të cilat i janë kërkuar shpjegime.
Shuli evidentoi një procedim penal të regjistruar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda në vitin 2019 pas publikimit të një regjistrimi nga emisioni “Fiks Fare”, ku pretendohej se një i hetuar kishte paguar një shumë të hollash tek avokati i tij për të mbyllur një çështje që po hetohej nga Llaho.
Subjekti deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion se SPAK e kishte përcjellë çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Vlorës pasi ishte konkluduar se nuk bëhej fjalë për korrupsion, por për mashtrim të të hetuarit.
Ai shtoi se hetimi ndaj denoncuesit nuk kishte pasur një fokus të veçantë dhe për këtë arsye nuk kishte pasur veprime të shpejta. Sipas Llahos, pasi janë kryer veprime hetimore, çështja është pezulluar.
Në një rast kur është konstatuar mosrespektim i afateve për regjistrimin e procedimit penal, subjekti shpjegoi se në atë çështje nuk kishte caktim mase sigurie që të vendosej si prioritet. Ai shtoi se mosregjistrimi brenda afatit kishte ndodhur për shkaqe objektive, pasi ishte dashur të siguroheshin disa akte nga një notere në moshë të thyer, që e kishte arkivën tek një tjetër noter.
Ndaj subjektit janë depozituar shtatë denoncime nga publiku. Për një çështje është pretenduar se subjekti ka zvarritur hetimet duke mos kryer një akt ekspertimit të kërkuar nga kallëzuesi.
Llaho shpjegoi se se falsifikimi i akteve pretendohej për një dokument të vitit 1996, prej nga rezultonte të ishte parashkruar vepra penale. Ai shtoi se çështja është në gjykim.
Subjekti deklaroi se ngarkesa e madhe që kanë prokuroritë, e bënë të pamundur përfundimin e hetimit të të gjitha çështjeve brenda afateve të përcaktuara.
Lidhur me rrëzimin e një vendimi mosfillimi nga gjykata, Llaho deklaroi se pasi kishte kryer heitmet kishte kryer kërkesë për pushim të hetimeve, që ishte vlerësuar si e drejtë edhe prej gjykatës.
Sipas Komisionit, subjekti ka ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale nga “vrasje” në “vdekje nga pakujdesia” lidhur me një aksident në punë me pasojë vdekje. I pyetur dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me qëndrimin e tij në këtë çështje, subjekti u shpreh se fillimisht ka regjistruar një vepër penale më të rëndë, me qëllim që të jepej mundësia për kryerjen e veprimeve procedurale, që të lejohej përgjimi, etj..
“Kishte humbje jete dhe prokuroria e ka vlerësuar maksimalisht. Janë kryer veprime hetimore, është zbardhur ngjarja dhe është përcaktuar akuza”, pohoi Llaho dhe shtoi se rikualifikimi i veprës penale është gjetur i drejtë nga dy gjyqtarë, nga ai i seancës paraprake dhe gjyqtari themelit të çështjes.
Shuli evidentoi edhe një çështje tjetër të trajtuar në një media, lidhur me një të proceduar për zaptim të tokave nëpërmjet dokumenteve jo të rregullta, ku janë ngritur pretendime për lirimin e të hetuarit.
Llaho e cilësoi shkrimin si të pasaktë dhe intimidues. Ai tha se prokuroria kishte kërkuar ‘arrest në burg” dhe gjykata kishte vendosur “arrest shtëpie”. “Ka qenë përgjegjshmëria ime për avancimin e këtyre hetimeve që ka sjellë sekuestrimin e 10 mijë m2 në Kanalin e Çukës në Sarandë, ku janë përfshirë edhe zyrtarë. Mendoj se kam treguar nivel dhe integritet të lartë”, pohoi Llaho.
Në përfundim Llaho kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 22 dhjetor, në orën 09:45. /BIRN/