Vrasja e dyfishtë në Athinë e lidhur me atë të biznesmenit nga Saranda në Tiranë?

Autoritetet greke po hetojnë lidhjen e mundshme mes vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në një lokal në Athinë, me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në zonën e Selitës në Tiranë, ngjarje e ndodhur pasditen e së premtes.

Lajmi bëhet i ditur nga media greke. Të dy viktimat në atentatin e një nate më parë, ishin emra të njohur për policinë greke, të dënuar për trafik droge e grabitje.

Ndërsa Edmond Papa, pronari i një hoteli në Saranda u vra në një lokal në zonën e Selitës pasditen e së premtes. 49-vjeçari u qëllua me disa plumba dhe u transportua në spital ku ndërroi jetë. Në Greqi ai ishte dënuar për trafik droge.

Dyshimet e autoriteteve greke janë se ngjarjet kanë lidhje me njëra tjetrën dhe se kemi të bëjmë me një luftë mes bandave për trafikun e drogës. Hetuesit dyshojnë se shkak për ngjarjet mund të jetë bërë humbja e një ngarkese të madhe droge, prej 700 kilogamëve hashash. Mediat greke, duke cituar autoritetet atje thonë se vrasja e dyfishtë në Athinë ishte një mesazh.

Një person i maskuar qëlloi për vdekje dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj 41 vjeç nga Vlora dhe Armando Organja 44 vjeç nga Berati, teksa po pinin kafe në një lokal në zonën e Nea Smyrni të Athinës, mbrëmjen e së dielës. 41-vjeçari Çerçizaj humbi jetën në vend, ndërsa Organja fillimisht mbeti i plagosur.