Sarandë, Festa e fëmijëve të shtëpisë së fëmijës

Mes shumë zbukurimesh dhe simboleve të dashura të festave të fundvitit, banorët e Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, e kthyen këtë fillim javë në ditë të veçantë.

Mysafirë të veçantë, mes të cilëve ishte Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma e zonja e parë, ndoqën një program artistik të këtyre fëmijëve, përgatitur me shumë dashuri.

Me këngët e gëzueshme të këtyre festave, me recitimet, lojën në piano e deri dhe me pjesën teatrore ku dialiguan muajt e vitit mbi bamirësinë dhe kundër cmirës e ligësisë, fëmijët përcollën formimin dhe vlerat e tyre sociale, si dhe hapësirën e nevojshme për t’u integruar e zhvilluar prirjet personale, që gjejnë në këtë Shtëpi.

Drejtori i institucionit, Arjan Hasipi, duke falenderuar për praninë dhe mbështetjen, ka uruar për festa të gëzuara e për mbarësi më 2023.

Duke shprehur emocionin e veçantë që merr, sa herë gjendet mes këtyre fëmijëve, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se “jemi këtu edhe kur nuk jemi fizikisht, jo vetëm në raste të tilla, por gjatë tërë vitit, me mbështetjen tonë”.

Ai uroi që viti 2023 të sjellë më shumë shëndet, gëzime e suksese në mësime.

Aktiviteti u mbyll me shpërndarje dhuratash, me fotografi me veshje “babagjyshi” dhe me përfshirje në valle me motive popullore.