Hetimet: Edmond Papa u ekzekutua si hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt, shkak pazaret e drogës
Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë.
Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.
Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë, raporton TCH.
Dyshohet se bëhet fjalë për vrasjen e 27-vjeçarit, Aleksandër Sadikaj, i cili u eliminua me bombë me telekomandë, teksa po udhëtonte me makinë në aksin Tiranë-Elbasan, në dalje të kryeqytetit.
49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Për identifikimin e autorit të ngjarjes, i cili ka lëvizur në këmbë i maskuar policia e Tiranës është duke grumbulluar pamje të kamerave të sigurisë në zonë por deri më tani nuk është gjetur ndonjë sekuencë e vlefshme.
Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.