Mandarinat e Konispolit, eksportohen në Ballkan dhe Europë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, plantacionet e mandarinave në Konispolit, të Sarandës po preferohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja, kryesisht në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Poloni e Çeki por dhe vende të tjera të Europës Lindore dhe të Ballkanit.
Sipas MBZHR, prodhimi mandarinave është i bollshëm, cilësor dhe tregtohen me çmim të volitshëm.
Prodhimi i mandarinave këtë vit në zonën e Konispolit pritet të shkojë në më shumë se 50 mijë tonë. Plantacionet me mandarina dhe agrumet e tjera në Konispol, janë kthyer në një model investimi në bujqësinë shqiptare, ku angazhojnë në punë pothuajse të gjithë banorët e bashkisë Konispol, teksa gjenerojnë punësim edhe për banorë të tjerë nga zona të Ksamilit, Delvinës duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e të ardhurave për ekonominë fermere.
Ekspertët e bujqësisë tregojnë se, prodhimi në rritje i mandarinave i adresohet zgjerimit me mbjelljet e reja të pemëve që janë bërë si dhe kujdesit të vazhdueshëm për ruajtjen e standardeve të cilësisë në prodhim.
Mandarinat e zonës së Konsipolit vlerësohen të një cilësie të lartë dhe prodhim pa pesticide të dëmshme dhe kjo bën që produkti të kërkohet nga tregjet në vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës Lindore.
Përveç mandarinave, në fermat e Konispolit kultivohen edhe kivi, që tregtohet më së shumti në tregun vendas.
Shumica e banorëve të Konispolit kanë kultivuar në fermat e tyre agrume dhe vit pas viti prodhimi shënon rritje duke e kthyer në sektorin bazë të ekonomisë së zonës.