HEC-i i Sasajt si “kuçedër”, than lumin e Kalasës dhe ujëvarën e Bakajt në Delvinë
Hidrocentri i Sasajt po zhduk lumin e Kalasës në Delvinë. Banorët thonë se ka rreth një muaj pa u lëshuar uji, ndërsa pamjet e peshqve të ngordhur atje janë dramatike.
Prej 1 muaji uji në lumin e Kalasës është zhdukur.
Lumi shfrytëzohet nga hidrocentrali i Sasajt, i cili ka ndërprerë tërësisht ujin që duhet të shkont në lumë për t’i shërbyer disa fshatrave në Delvinë.
“Gjithë fauna e egër e kësaj zone, e këtij lumi është e shkatërruar dhe të vjen keq kur i shikon në atë gjendje. Situata është… ju e patë vetë. Dhe nuk reagon asnjë instititucion,” tha eksperti Poda.
Ajo çfarë ka mbetur tanimë në shtratin e lumit janë peshqit e ngordhur.
Sipas ekspertit të mjedisit Çlirim Poda dëmet janë kolosale dhe të parikuperushme.
Fshati Bajkaj duket se është më i prekur nga zhdukja e lumit. Fermerët dhe blegtorët atje e kanë jetik ujin e lumit por prej disa vitësh ata po hasin të njejtin problem me HEC-in, mungesën e ujit për vaditje, që këtë muaj arriti kulmin e tij.
“Atje ka ngordhur çdo gjë e gjallë. Kemi problem dhe me ujin e vaditjet, nuk kemi ujë të vaditim. Këtë problem e kemi rreth 4-5 vjet.
Këtu ka qenë plot me ujë, det. Ka qenë mbushur dhe tunelet plot me ujë. Tani nuk ka pikë uji. S’ka as ku të pijnë bagëtitë,” thonë dy banorë.
Ujëvara e Bajkajt ishte një nga mrekullit natyrore të zonës, që është kthyer edhe në destinacion turistik, por pamja e saj sot është kjo.
Banorët e Bajkajt thonë se do të ndjekin çdo rrugë institucionale, për të rikthyer lumin e Kalasës.