Sarandë, ndahet nga jeta mësuesja e njohur Roza Isaj
Një lajm i trishtë është përhapur ditën e djeshme në qytetin tonë, Sarandë. Mësuesja e shumë brezave, mësuesja që me shumë dashuri u mësoi vogëlushve që nga gërmat e shkronjat e para, një mësuese e palodhur së dhëni dije disa brezave, mësuesja, emblemë e arsimit në Sarandë, Roza Isaj, u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare.
Roza Alikaj Isaj lindi në 1 shkurt 1936 në fshatin Çorraj, në një familje me tradita patriotike, vajza e vogël e familjes së Cane Alikaj.
Pasi mbaroi ciklin 7-vjecar, Roza kreu kursin 2 vjecar në Normalen e Elbasanit për mësuesi dhe filloi punë si mësuese për 2 vite në fshatin e lindjes, Çorraj. Roza ishte një ndër mësueset e qytetit të Sarandës që përfundoi Shkollën e Mesme Pedagogjike në vitet ‘60, dhe një nga kuadrot e para të qytetit të Sarandës ku rriti dhe edukoi shumë breza. Njëkohësisht ajo mori pjesë në kurset kundër analfabetizmit ku jepte mësim në shkollat e mbrëmjes. Në vitin 1960 u martua me Sulo Isaj dhe së bashku krijuan një familje të mrekullueshme.
Nga kjo martesë lindën tre fëmijë, Shuaipi, Klara dhe Mira. Roza dhe Sulo me shumë sakrifica dhe përpjekje arritën t’i rrisin, t’i edukojnë dhe t’i shkollojnë të tre femijët me arsim të lartë duke krijuar respekt nga të gjithë ata që i njihnin. Qytetarët e Sarandës do ta kujtojnë Rozën si njeriun model dhe korrekt në sjellje, komunikim dhe profesionalizëm. Ajo dinte të përcillte tek nxënësit e saj, të afërmit dhe bashkëqytetarët fjalën e ëmbël, buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore. Roza ishte e aktivizuar në mjaft aktivitete shoqërore të qytetit, e kudogjëndur në gëzimet dhe hidhërimet jo vetëm të të afërmve por dhe të bashëqytetarëve të saj.
Shumë nga fëmijët që Roza kishte edukuar, edhe pas shumë vitesh, jo vetëm nuk e kishin harruar mësuesen e tyre të dashur por sa herë që e takonin e përqafonin me respekt dhe mall.
Dashurinë, kulturën dhe mirësjelljen Roza e transmetoi edhe tek fëmijët, niprit dhe mbesat e saj.
U prehsh e qetë në parajsë, mësuesja e mirë, Roza Isaj !
Sarandalife u shpreh ngushëllime familjes Isaj për humbjen e njeriut të shtrenjtë