Panairi i suvenireve turistike në Sarandë, punime artizanale nga të gjitha trevat shqiptare
Në qytetin bregdetar të Sarandës u përmbyll sot panairi i 10-të kombëtar i suvenireve turistike me qasje mjedisore “Saranda 2022”, veprimtari promovuese në fushën e trashëgimisë e iniciuar nga Qendra Agjencia AJMMI dhe bashkia e Sarandës.
Përgjatë katër ditëve rreth 80 subjekte, artizanë nga vise të ndryshme shqiptare sollën në në kulmin e zhvillimeve verore turistike, prurje nga krijimet si artizanë në teknika e lloje të ndryshme të lëvrimit të artit popullor.
Sipas kryebashkiakut Adrian Gurma, ky panair kontribuoi jo vetëm në përçimin e vlerave më të mira të traditës artizane, por edhe në pasurimin dhe përmirësimin e ofertës turistike të Sarandës, krahas aktiviteteve të shumta të zhvilluara këtë verë në shëtitoren e qytetit.
Në ekspozitat e produkteve artizanale të sjella në Sarandë përgjatë katër ditëve u shpalosën traditat e artit popullor artizanal nga qytete e treva të ndryshme të hapësirës etnokulturore shqiptare: nga Shkodra e Prizreni, Gjirokastra e Kruja, Saranda e Prishtina, Berati, Vlora, Gjakova, Struga, etj.
“Në këtë event jubilar dy ishin qëllimet dhe fokuset kryesore: manifesti i vazhdimësisë së artizanatit burimor shqiptar nëpër kohëra deri në ditët e sotme me risitë që e pasurojnë atë si dhe, promovimi i Sarandës si një pol i rëndësishëm turistik në Shqipëri, si një destinacion e ofertë e larmishme turistike”, theksoi Shkëlqim Hajno, drejtues i AJMMI-t.
Ndërsa Panajot Boli, kryetar i bordit të AJMMI tha se “përgjatë katër ditëve (17-20 gusht), ishin mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj që frekuentuan stendat e panairit të 10-të kombëtar të suvenireve turistike me qasje mjedisore”.
Në përfundim të këtij aktiviteti kulturor u ndanë edhe çmimet për prurjet më origjinale nga trashëgimia e artizanatit shqiptar të punëve të dorës.
“Atelie Lizeta” (Gjirokastër) u shpall fituese e çmimit të parë, ndërsa me çmim të dytë u vlerësua “AN’ART” Gjirokastër, motrat Koçollari dhe mjeshtri i mozaikëve në gur, Pjetër Përkeqi. Çmimi i tretë iu akordua subjekteve: Venera Rada (Prizren-Kosovë); Fellenxa Gjeçi (Berat); Kristina Çabiri (Sarandë) dhe Dritëro Lame (Shales-Konispol).
“Të ruash traditën është shumë më tepër se të qepësh një veshje. Edhe përkushtimi për të sjellë origjinalen, është respekti për detajin, është mirënjohja për trashëgiminë dhe puna e pakursyer”, u shpreh për ATSH-në Lizeta Atika, fituese e çmimit të parë.