Vlorë dhe Sarandë, pezullohen 10 lejedrejtimi për shkelje rrugore
Policia Rrugore ka vijuar kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore, në Vlorë dhe në Sarandë, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor.
Kontrollet e shtuara kanë për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit sa më normal në akset rrugore të Vlorës dhe të Sarandës, duke marrë parasysh fluksin e lartë të pushuesve që përshkojnë këto akse, me automjetet e tyre.
Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për sezonin turistik, duke përdorur radarë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkool-testues, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë arrestuar 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Janë pezulluar 10 leje drejtimi, nga të cilat 7 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 3 për drejtimin mjeti, nën ndikimin e alkoolit.
Janë vendosur gjithsej 1247 masa administrative, nga të cilat:189 masa për tejkalim shpejtësie; 28 masa për mos vendosjen e rripit të sigurimit; 20 masa për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse; 9 masa për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit; 133 masa për parakalime të gabuara; 529 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit; 339 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.