Tërmet Peçi: 600 familje do mbështeten nga Bashkia me ndihma dhe medikamente
600 familje në nevojë duke përfshirë edhe qytetarë, pensionistë të vetmuar, ka listuar bashkia Tepelenë, për të mbështetur me ndihma ushqimore, ilaçe dhe sende të tjera higjenosanitare, në kushtet e masave kundër COVID-19.
Kështu u shpreh për ATSH-në Tërmet Peçi, kreu i bashkisë Tepelenë, ndërsa shpjegoi se sot po vijohet me ndarjen e ndihmave ushqimore në familjet në nevojë në fshatin Lopës.
Deri tani janë 250 familje që kanë marrë ndihma me ushqime, mbi bazën e planit të përgatitur, për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre, më në nevojë në kushtet e masave kundër COVID-19, tha Peçi, sipas të cilit, “procesi i mbështetjes vijon sipas listave të përgatitura deri në familjen e 600-të”.
Ekipet e bashkisë Tepelenë janë në terren dhe dje ndanë pako me ushqime në shtëpitë e 30 familjeve në nevojë në zonën e Kurveleshit, në kushtet e masave të shtrënguara të lëvizjes për qytetarët.
Bashkia i bën apel qytetarëve të bëjnë durim, të ndjekin udhëzimet dhe të njoftojnë përmes numrave të telefonave, që janë vënë në dispozicionin të qytetarëve për çdo nevojë.
Nëse keni në lagje, pallat apo në fshat një fqinj të pamundur ju lutemi të na lajmëroni dhe ne do të dërgojmë aty ekipet tona.