Policia kontrrolle në Sarandë dhe Vlorë: 3 shoferë në prang, 6 nën hetim,12 patenta të pezulluara dhe 1375 gjoba në një javë 

Sezoni turistik shoqërohet me një fluks të lartë pushuesish të cilë zgjedhin bregdetin e Vlorës dhe Sarandës për të kaluar pushimet, rrjedhimisht janë  shtuar dhe kontrollet nëpër akset kryesore rrugore me qëllim menaxhimin e trafikut, parandalimin e aksidenteve si dhe evidentimin e shoferëve që janë në shkelje të rregullave.

Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara nga ana e policisë rrugore duke përdorur radarë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë vendosur nën hetim 6 tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Janë pezulluar 12 leje drejtimi, nga të cilat 10 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 2 për drejtimin mjeti, nën ndikimin e alkoolit.

Janë vendosur gjithsej 1375 masa administrative, nga të cilat: 189 masa për tejkalim shpejtësie; 30 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 47 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 9 masa për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;  161 masa për parakalime të gabuara; 585 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit; 354 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.