Shpallen në kërkim babë e bir, bën për në spital tre persona në Dhërmi
Një sherr mes një grupi personash në Dhërmi ka përfunduar me tre të plagosur gjatë së dielës dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. K., 57 vjeç dhe K. K., 30 vjeç babë e bir.
Dy të dyshuarit akuzohen se në Dhërmi, kanë dëmtuar me sende të forta dhe grushte, për motive të dobëta, shtetasit N. L., 31 vjeç, G. D., 40 vjeç dhe O. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, të cilët po marrin mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., 28 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar ngjarjen. Aktualisht po punohet për kapjen e të shpallurve në kërkim.