Destinacioni i javës: Rrënojat e kompleksit Bazilikë – Sinagogë, në qender të Sarandës
Rrënojat e një kompleksi të veçantë Bazilikë – Sinagogë ndodhen në qendër të qytetit të Sarandës dhe përfshihen brenda mureve të qytetit antik të Onhezmit.
Vendosja e këtij monumenti në kontekstin urbanistik, përmasat e tij dhe dyshemetë me mozaik, dëshmojnë rolin e rëndësishëm që ai ka luajtur në jetën e komunitetit.
Gërmimet e para për zbulimin e këtij kompleksi kanë filluar në vitin 1979 dhe vazhduan gjatë gjithë viteve 80-të nga arkeologë shqiptarë, për të rinisur sërisht në vitin 2003 nga një projekt i përbashkët shqiptaro – izraelit.
Përveç strukturës arkitektonike, një vend të veçantë në këtë kompleks zënë edhe elementët e dekorimit të dyshemeve me mozaik ku dallohen motivet gjeometrike dhe floreale të periudhës së antikitetit të vonë por nuk mungojnë edhe simbole të rëndësishme hebraike si shandani me shtatë krahë (menorah), briri i dashit, dega e palmës etj. Duke ju referuar strukturës arkitektonike dhe motiveve të mozaikëve studiuesit mendojnë se ky kompleks daton gjatë shekullit të IV-ët deri në çerekun e fundit të shekullit të VI-të.