Prestigjiozja Condé Nast Traveller Magazine: Shqipëria, destinacion fantastik kulinar

Revista prestigjioze britanike Condé Nast Traveller Magazine e përshkruan Shqipërinë si një vend “par excellence” të turizmit kulinar falë resurseve që i ka falur natyra, traditës së mbajtur gjallë ndër breza dhe punës së palodhur të shefave të kuzhinës që e kanë risjellë kuzhinën e traditës në versionin më të mirë të saj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot shkrimin e revistës Condé Nast Traveller Magazine ku thekson se në 10 faqet e këtij shkrimi Shqipëria prezantohet si një “must visit” i turizmit kulinar.

“Përshkruar përmes bujarisë së njerëzve, shijes së verërave dhe aromës së erëzave, në 10 faqet e këtij artikulli, Shqipëria prezantohet si një “must visit” i turizmit kulinar për të përjetuar transformimin dhe identitetin e veçantë që shefat i kanë dhënë gastronomisë”, u shpreh Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Pas dy sezonesh verore të ndikuara nga pandemia, turizmi i është rikthyer normalitetit dhe këtë e tregojnë të dhënat pozitive të periudhës janar-qershor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Edhe sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke tejkaluar dhe vitin 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.

Vetëm gjatë muajit qershor në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.