Limos Dizdari rrëfen i pikëlluar shkatërrimin e qendrës DEA: Në Ksamil do kthehem kur…
Kompozitori i njohur Limos Dizdari, pas triumfit mbi vdekjen dhe daljen nga intubimi ka dhënë një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, ku foli mbi gjendjen shëndetësore, por dhe qendrën kulturore “DEA” në Ksamil.
Dizdari deklaroi se megjithëse e ngriti me shumë sakrifica, pavarësisht luftës që ai bëri, protestave te Kryeministria dhe letrave dërguar Edi Ramës, qendra kulturore “DEA”, u grabit dhe nuk është më.
Kompozitori shton se nuk mori kurrë përgjigje nga letrat që i drejtoi shefit të qeverisë, Edi Rama.
Pjesë nga intervista:
Jemi në shtëpinë tuaj dhe pas keni banerat e aktiviteteve kulturore në qendrën Dea…
Këto i bëra tani që erdha në Tiranë. Unë mora përsipër të bëja një protestë personale. Dy javë rresht dola para kryeministrit. I kam çuar 45 letra kryeministrit dhe ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje. I drejtohem atij. Sepse unë e di mirë si funksionon shteti. I njoh pushtetarët, i kam parë të gjithë, i kam parë dhe me kostume dhe me rroba banje.
Ju mendoni se atë ditë keni marrë goditjen e parë?
Mendoj se aty e kam marrë që u rrëzova.
Kur u rrëzuat shkuat menjëherë në spital?
Jo, atje po bëhej një zallamahi e madhe. Kishin hyrë policë, banditë, njerëz me makina. Ishte një gjë e tmerrshme dhe ne na nxorën përjashta.
Që nga ajo ditë ju e latë Ksamilin?
Ikëm çfarë të bënim. Ata kishin hapur të gjitha dyer, kishin prishur të gjitha llozet e dyerve, ishin ndërruar të gjitha. Adriana guxoi dhe vajti, unë shkova që të firmosja deklaratën te polici. Adriana kishte parë që biblioteka ishte rrëzuar në tokë, të gjitha skulpturat ishin hedhur në baltë. Pikturat nuk ishin nëpër mure. Atje ka një bazë materiale të jashtëzakonshme. Vendosa të bëj një protestë personale para Kryeministrisë dhe i provova këto që të merrja vesh pse kam dalë. Ruhesha shumë nga pëllëmba e ndonjë të paudhi. Kisha shumë frikë nga ajo. Se nuk ka gjë më fyese se pëllëmba që të jep dikush me pa të drejtë. Vjen një ditë një njeri i thjeshtë, ç’po bën këtu. I thashë po rri, më tha nuk lejohet. Isha në trotuarin e bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. I thashë ju shqiptar jeni, po unë shqip po të them. Jo tha, o duhet me shku ose jam i detyruar…Jo, i thashë po iki sepse kisha këtë frikë. Kanë ardhur disa herë protestues, unë nuk përzihesha me protestuesit e tjerë që të bëja diferencën. Unë kam qenë jashtëzakonisht konseguent me qëndrimet e mia dhe vazhdoj të mbetem shumë konseguent. Nuk bëj asnjë lëshim, asnjë milimetër mbrapa. O të gjitha, o asgjë. Sepse unë i kam mbledhur siç thotë populli, si plaga qelbin, me vështirësi të jashtëzakonshme. Nuk i jam drejtuar askujt, as shtetit. Unë vajta me një qëllim në Ksamil, vajtëm që të mbillnim piano. A e di sa piano kemi mbjellë në Ksamil. Kemi mbjellë 19 piano. Por në Ksamil, janë ato zgarat që pjekin peshkun, për të pirë raki. Jo ne mbollëm vetëm piano.
Momentalisht çfarë ndodh me qendrën Dea dhe a e shihni ndryshe këtë situatë tani, pas kësaj situate që patët me shëndetin? Çfarë ka ndryshuar?
Nuk ka lidhje kjo ç’kam unë si shëndet… Shëndeti është i imi. Ka njerëz që sëmurën e shërohen, ka njerëz që sëmuren, shërohen, përkeqësohen dhe vdesin. Ajo që kemi bërë unë dhe Adriana nuk është e imja, nuk është as e jotja, as e këtyre çunave, është e të gjithë neve. Është kulturë kombëtare. Kultura kombëtare s’mund të jem unë pronar, as Ismaili, as Naimi, është e të gjithëve. Çfarë bëhet kështu, pse ky pisllëk.
Jeni interesuar çfarë ndodh atje tani?
Jam interesuar, kanë hedhur gjithçka. Beethovenin e shoh në baltë, unë e kisha në dy gurë të mëdhenj për të thënë që ky është një shkëmb i madh që fati ia solli botës. Po atje është Tchaikovsky, është Noli, Naimi, është Migjeni.
Ju nuk keni marrë asnjë reagim dhe pas protestave individuale?
I kam dërguar letër SPAK-ut. Pa pikën e turpit, Arbenit i erdhi zor shumë zor, të them të vërtetën që e transferoi kompetencën për zgjidhjen e problemit në Prokurorinë e Sarandës. Më tha u mërzite profesor, i thashë o Arben unë njoh shumë krajanë të tjerë, nga ke ngjarë ti i thashë kaq i varfër. Si mund të them jam mërzitur shumë. Mos u mërzit më tha. I kam dërguar letër ministrit të Brendshëm, kam marrë takim me të, mora premtim të jashtëzakonshëm prej tij. Sa të më kesh mua mos çaj kokë. Kërkova takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, nuk më priti. Vajta dy herë, nuk kishte kohë. Normal, normal. Po të paktën dha një përgjigje dhe përgjigjja është e gjitha gënjeshtër.
Çfarë kërkoni ju aktualisht profesor dhe çfarë pretendoni, çfarë hapi të radhës do bëni?
Të respektohet ligji! E ke shitur, po. Kush e ka shitur? Konfederata nuk ka të drejtë ta shesë. Pse e ka shitur, sa e ka shitur. 200 milionë, aq është një shtëpi. Unë kam thënë atje, çfarë u shit, ajo që ishte, ajo që bëra apo ajo çfarë do bënim. Jo vetëm që e shitë, por ata që e blenë, ata që fituan ankandin e shitën për 2 mln euro. Me kë tallesh ti? Unë nuk vija nga një fshat i humbur se nuk besoj se gjen më fshatarë të humbur. E bleve 200 mln dhe e shite 2 mln euro.
Nga mijëra mesazhe që keni marrë, a ka qenë njëri që ju ka bërë përshtypje?
Është e vërteta absolute dhe nuk ua them, verifikojeni vetë. Të gjithë miqve të mi, të gjithë njerëzve të mi të dashur ajo që iu ka bërë përshtypje është ndërkombëtarëzimi i këtij problemi. Unë nuk e kam ditur se mund të isha ndonjë ditë në qendër të vëmendjes. Që nga Izraeli, që nga Australia të urojnë shëndet. Ata flasin për diçka tjetër, unë gjej rastin që t’i falënderoj. Ai ka futur vetveten. Njerëz që janë të ndërgjegjshëm, që e hedhin hapin mbi bazën e një logjike të shëndoshë.
Po nga politika?
Ka dy mënyra të folur në kësi rastesh, të flasësh troç apo të flasësh me hile. I interesuar për këtë punë i pari ka qenë Edi Rama, sepse ai donte vetë që ta merrte. I interesuar i dytë dhe përpara Edit, ka qenë Ilir Meta. Ka shokë të tjerë që marr vesh tani, ngatërrestar. Unë u çudita dhe e besova që Ilir Meta ishte i pari dhe bërtiti tani për shëndetin tim. Ai më njeh mua, unë nuk di të them as kështu as ai. Nuk mund të gënjej. Prona kombëtare nuk është e imja, është e të gjithëve. Ajo që unë bëj, unë nuk lëviz qimen nga ajo që bëj. O të kthehen të gjitha, o t’i marrin të gjitha. Ia kam çuar avokatit, dje ia çova letrat.
A jeni optimistë se do i shkoni deri në fund?
Nuk varet as nga unë, as nga ju, as nga politikanët. Pyetja është kush e drejton Shqipërinë? Këtu ka shumë vend për të diskutuar. Unë në seanca shumë të holla politike nuk ka marrë pjesë. E para se nuk kisha njohje dhe e dyta se nuk kisha kompetencë për ca gjëra që nuk më takonin mua.
E vërteta është kjo tani, që përderisa thuhet që ia japim kësaj se kjo ka green card, po mirë dhe Limosi me Adrianën kanë green card. I kam bërë një letër ambasadores dhe i them, nuk kam ndjerë emocion më të madh se sa atë ditë që një zyrtar i lartë i New York City-t na thotë të dyve Ëelcome in America. U fshinë të gjitha ato njollat e gishtave përpara kësaj fjale të ëmbël. Po pse? Unë e di fort mirë atë që ka thënë Roosvelt 100 vjet përpara. Është keq kur një ministër i keq vihet në detyrë, por është akoma më keq kur një ministër i keq rri gjatë në punë. Ky është leksion i madh demokracie.
Çfarë vlere kapi investimi juaj për qendrën Dea?
Ka shkuar midis 850-900 mijë euro. Po të doni pyetjet i bëjmë mbi tablot. Ajo është rruga që të çon në Ksamil, në atë rrugë nuk ka asnjë lloj ndërtimi. Shkoni shikoni po gjetët atë rrugë më do të çuditeni sepse gjithçka është transformuar. Do të thotë që 26 vjet më parë unë jam i pari atje. E dyta, po të shohësh tek fotografia e tretë, janë disa dritare dhe ca gurë. Ajo është biblioteka e Migjenit. Shihe si është. Këtu është qendra në rikonstruksion. Të gjitha këto janë bërë me lekë. Ku është kontributi i shtetit këtu? Asgjëkundi. Me se është bërë me sakrifica. shkonim të dy dhe e di mirë si i kam marrë frymën kësaj. Ne na është krijuar edhe një problem tjetër nëse flasim në konfidencë. Unë jam beu i Ksamilit. Me autoritetin e beut, autoritetin e hierarkut u bë, por ne shkonim 4-5 herë në muaj në Ksamil.
Keni dërguar shumë letra e keni kërkuar takime. Vajzat, ju keni tre, shkruan një letër për zotin Rama ku i shpjegonin gjithçka dhe ndjeshmërinë tuaj e rëndësinë e qendrës Dea për ju. U mor një përgjigje?
Jo, bile lanë pa përgjigje një pyetje të rëndësishme, ku i ke miqtë tuaj politikanë. I vetmi njeri që di si rregullohet zemreku i sahatit të një shteti sepse i njeh shumë mirë shtetin shqiptar dhe popullin shqiptar jep dorëheqjen e largohet. I thash si sepse kishe marrë përsipër të ndërmjetësoje për këtë, me tha ma le topin mua tani. Jo i thash mos i bjer po të duash. Unë gjithnjë kam pasur besim tek ai por ai nuk paska pasur besim tek unë. Ajo është çështjes e tij. Herën e fundit kam folur me të që përpara katër vitesh. Në fakt ai ka një të drejtë. Unë jam i vetmi që për 20 vite nuk e kam lejuar që të shembet Teatri Popullor.
Unë isha kryetari i Komisionit. Isha zv. kryetar, por kisha shumicën. Kryetar ishte Bardhyl Londo, me Bardhylin merreshim vesh sepse unë flisja sinqerisht, edhe ai. Të dy vinim nga lidhja e Shkrimtarëve dhe merreshim vesh. E Para që u prish në Shqipëri ishte Lidhja e Shqiptarëve. Pse u prish? Po u prish estrada, teatri…
Kur flitej për teatrin i thosha Edi Ramës me ç’lekë do ta bësh. Unë isha kryetar komisioni ai ministër Kulturës. Më ka premtuar Papandreu të më japë lekët. Por Papandreu ka aq halle vetë dhe pret të të japë lekë ty për këtë gjë? Edhe i thoja Ylli Bufit ministër i Ekonomisë, po ke lekë jepi, por ti vetë më kë thënë që nuk ka lekë. Të njejtën i kam thënë edhe ministrit të Financave Anastas Angjeli, po ke lekë jepi i thoja. Të gjithë tërhiqeshin. Atëherë kërkonim me insistim që të gjithë të hidhnin firmën.
Do të ndërmerrni një hap tjetër teksa thoni që jam në pritje të zbatohet ligji. Mendoni që ka mbetur diçka që mund të bëni?
Në një letër që i bëra ministrit të Brendshëm i shkruaja: Nuk është nder i madh të vdesësh në bulevard duke protestuar, por të vdesësh në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të mbrojtur kulturën kombëtare është një nder shumë i posaçëm. Pas intervistës me ju, edhe në këtë gjendje të keqe shëndetësore do të protestoj, në Ksamil do të kthehem kur ministri Çuçi të më kërkojë ndjesë që nuk e mbajti fjalën, se më tha që do t’i nxjerr përjashta dhe gënjeu. Në takimin në gusht të 2021. I kam shkruar edhe shumë herë ministrit dhe nuk më ka kthyer. Unë nuk ulem nga pozicioni, e konsideroj si një qëndrim moral i çdo njeriu që ta mendojë mirë atë që thotë, edhe kur thotë “po” edhe kur thotë “jo”. Kur thotë “po” pse thua “po” dhe kur thua “jo” pse thua “jo” dhe a do ti rezistosh dot asaj që thua.