Pastrimi i liqenit të Viroit në Gjirokastër, projekti synon t’i hapë rrugë sporteve ujore

Në Gjirokastër ka filluar pastrimi i liqenit të Viroit që është një prej atraksioneve kryesore natyrore pranë qytetit.

Pastrimi i liqenit prej bimësisë shpresohet ti japë jetë shumë aktiviteteve sportive të ujit megjithatë sfidë madhore mbetet furnizimi me ujë përgjatë gjithë vitit i liqenit artificial.

“Agjencia e Shërbimeve Publike me një plan të mirëmenduar ka ndërhyrë në pastrimin e parkut si moment i parë. Në vijim do të vendosim portat bllokuese të ujit për ta bërë më të gjatë ciklin e këtij liqeni artificial dhe do të kthejmë sytë edhe nga bimësia që dora e njeriut e ka dëmtuar.

Është menduar nga ana jonë që krahas burimit ujor të Skotinisë që po e furnizon liqenin nëpërmjet Mëmës ne do të kthejmë një degëzim të lumit të Kardhiqit për ta pasur me ujë 12 muaj.

Një ekip specialistësh është në dispozicion të Viroit jo vetëm për të ndërhyrë tek territori rreth liqenit por në të gjithë parkun me sipërfaqe 50 ha.” tha Ylli Muho kreu i Agjencisë.