“Butrinti”, Kumbaro: Mund t’u jap Teatrin “La Scala” si shembull që menaxhohen nëpërmjet fondacioneve kulturore

Në studion e “Open” në News24 ministria e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro është vendosur në vështirësi nga pyetjet e gazetarit Mentor Kika sa i përket planit të qeverisë për dhënien me koncesion të parkut kombëtar të Butrintit.

Kika vuri në pah se nuk është nevoja që shteti ta dhurojë te privati këtë trashëgimi kulturore, ndërsa ministrja ju përgjigj duke thënë se sajti do të vazhdojë të mbetet nën menaxhimin e qeverisë, por praktika e propozuar do të shërbejë për të marrë më shumë financime nga donatorë privat.

DISKUTIMI NË OPEN:

Vasili: Cili është komenti juaj për komentin e Presidentit Ilir Meta që ktheu në kuvend projektligjin për dhënien nën administrim të parkut të Butrintit?

Kumbaro: E konsideroj këtë deklaratë të pasaktë, të pavërtetë. Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi kur flitet për trashëgimitë kulturore publike. Edhe nëse në arën e një bujku që është pronë private e bujkut dhe gjatë gërmimeve dalin vepra arkeologjike, ato janë me ligj pronë publike. Në të njëjtin ligj parashikohen dy forma të administrimit. Direkte dhe indirekte, direkte janë forma si parku i Apolonisë, Teatri i Operas dhe Baletit apo të tjera, me varësi page nga Ministria e Kulturës.

Është edhe një formë tjetër që janë fondacionet që janë e drejtë e çdo institucioni kulturor të pushtetit lokal apo qendror, të krijojnë fondacione kulturore që të tërheqin dhe fonde të tjera. Meqë përmendi Koventën e Parisit të Trashëgimisë Kulturorë Presidenti, i kujtoj atij nenin 17 të kësaj konvente. Fondacioni është rasti kur dhurohen para për një destinacion të caktuar kulturor, me qëllime jo fitimprurëse. Të njëjtën gjë mund ta bëjë nesër një teatër, një muze.

Shehu: Fakti që zgjodhët variantin e dytë, është për shkak se dështoi i pari?

Kumbaro: Jo nuk është se dështoi!

Shehu: Po se në rast se dështoi ju mbanit të parin, i menaxhonit ato pak para.

Kumbaro: Jo është një formë tjetër juridike menaxhimi për të thithur fonde të tjera, që mund të jetë bashkia, një tjetër fondacion apo bankë private. Edhe Butrinti, sistemin elektronik të biletave dhe në Apoloni dhe kalanë e Gjirokastrës, janë sisteme të biletarisë elektronike me donacione. Vjen në një moment të caktuar që këto para të mos shkojnë në buxhetin e shtetit por të përdoren brenda përbrenda institucionit.

Kika: Në atë nenin që ju thatë mungonte fjala menaxhim. Pra këto donacione mund të ngrenë fonde, mund të ftojnë donatorë por jo ti menaxhojnë ato sajte arkeologjike apo turistike. Ju Butrintin e keni dhënë për menaxhim.

Kumbaro: Nuk është e vërtetë zoti Kika!

Kikia: Po tani sa e përdore nenin për t’iu përgjigjur Presidentit.

Kumbaro: Jo aspak nuk është dhënë për menaxhim Butrinti. Nuk i është dhënë askujt, Ministria e Kulturës mbetet administratore e patjetërsueshme e parkut të Butrintit, por një nga mënyrat që zgjedh për të menaxhuar se ka kosto të mëdha mbajta e Parkut, është kjo. Dhe kjo nuk i heq Ministrisë së Kulturës asnjë atribut për menaxhimin e parkut.

Kikia: Pse shteti nuk e menaxhon vetë një nga pasuritë më të mëdha që ka ky vend? Se nuk ka ky vend 20 Akropole dhe nuk u bë qameti se u rrëzua njëri.

Kumbaro: Shteti vazhdon të jetë autoriteti menaxhues i këtij sajti.

Kika: Çfarë do të bëjë konkretisht punonjësi i shtetit aty? Drejtori do jetë i shtetit?

Kumbaro: Drejtori do të zgjidhet nga bordi, që ka Ministrin e Kulturës si kryetar të Bordit dhe janë edhe dy anëtarë të tjerë aktualisht. Uroj që nesër të jenë më shumë donatorë dhe fondacione. Mund t’u jap Teatrin “La Scala” si shembull që menaxhohen nëpërmjet fondacioneve kulturore dhe partnerë janë ministria e Kulturës së Italisë dhe Bashkia e Milanos.