Ligji për menaxhimin, ministrja e Kulturës: Butrinti do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit
“Parku i Butrintit do të vijojë të jetë pronë shtetërore”.
Kështu u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti, teksa është thirrur sot në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë për ligjin e menaxhimit të Butrintit.
Ministrja tha se kjo ka qenë një pyetje që është bërë shpesh së fundmi, ndërsa sqaroi se Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit.
Sipas saj, ministria e Kulturës dhe fondacioni shqiptaro-amerikan janë bashkërisht në këtë marrëveshje.
“Ka pasur shumë pyetje nëse Butrinti do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit. Patjetër që do të jetë pronë e shtetit.
Ai do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm. Gjatë dekadës së fundit ky partner strategjik ka kryer një sërë investimesh. Nuk është fondacion i huaj, por shqiptar. Dhe kjo ka qenë një nga kërkesat për informacion. Ministria dhe fondacioni shqiptaro-amerikan janë bashkërisht.
Ministria e Kulturës mban tagrin e të gjithë monitorimit të sitit. Vetë fondacioni nuk ka asnjë dalje jashtë kornizave ligjore. Kjo marrëveshje nuk parashikon asnjë tjetërsim prone.
Nuk kemi kalimin e pronës drejt fondacionit. Në krye të fondacionit qëndron bordi me pesë anëtar. Aktualisht kemi një drejtor ekzekutiv. Të gjithë anëtarët dhe drejtori tranzitor nuk marrin asnjë pagesë nga fondacioni.
Kjo formë menaxhimi i përgjigjet ligjit për trashëgimitë. Plani i ri është i mbështetur edhe në planet e mëparshme dhe është misioni ynë për të vazhduar me vizionin 2030.
Do ti mbetet shtetit shqiptar. Ministria nëse shikon që nuk arrihen objektivat ka tagrin ta ndërpresë marrëveshjen. Marrëveshja është 10-vjeçare”, deklaroi Margariti.
Ligji për menaxhimin e Butrintit ka përplasur opozitën dhe maxhorancën. Opozita ka akuzuar se Butrinti po jepet me koncesion, ndërsa qeveria ka theksuar se menaxhimi i parkut nuk do të jetë një formë konçensioni, pasi shteti shqiptar është palë në këtë menaxhim.