Kompleksi në Dhërmi/ Shehaj: Aferë korruptive! Xhaçka: Familjarët e mi s’kanë përfituar cm nga shteti
Deputeti i PD Agron Shehaj shkëmbeu replika në Kuvend me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, duke e akuzuar se ka marrë në konflikt interesi statusin e investitorit strategjik për ngritjen e një kompleksi në Dhërmi. Ndërsa Xhaçka u kundërpërgjigj duke u shprehur se familjarët e saj nuk kanë përfituar asnjë cm nga shteti.
Kujtojmë që më 2 mars Këshilli i Ministrave vendosi të japë në përdori një zone bregdetare në Dhërmi për një periudhë 30-vjeçare në favor të kompanisë “AGTCC Hotel Management”, pasi mori statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
REPLIKA
Shehaj: Statusi i investitorit strategjik i është dhënë familjarëve të ministres Xhaçka nga vet kryeministri Edi Rama, në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit për investitorin strategjik. Kjo është një aferë e pastër korruptive. Sepse korrupsion do të thotë të përdorësh pushtetin për përfitime personale.
Xhaçka: Nuk u pasurova unë, por vazhdojnë punojnë familjarët e mi me punën dhe djersën e tyre. Vazhdojnë të riskojnë, të investojnë si çdo biznesmen tjetër në Shqipëri. Nuk ka lidhje statusi i investitorit strategjik dhe përfitimet për dikë që është në pronë të vet, në biznes të vet, me investime të veta private dhe nuk ka përfituar asnjë cm nga shteti. Vini si përfaqësues i biznesit dhe flisni paçavure.