Sarandë: I dha për mobilim, qytetarin e zhvasin dhe i marrin 11 hyrjet në pallat
Thanas Nika është një i moshuar që jeton vetëm në qytetin e Sarandës.
Në vitin 2013 lidhi një kontratë ku i dha investitorit 778 metra katrorë truall dhe në këmbim do të merrte 13 objekte në pallatin 8 katësh, mes tyre dyqane, garazhe, papafingo.
Pasi përfundoi pallati, duke qenë i vetëm, u lidh Leon Kodrën. Ky i fundit do të merrej me mobilimin e apartamenteve dhe do të ndihmonte në shitjen e hyrjeve. Paratë ia dërgonte Thanasi nga Greqia.
“Viti i katërt sivjet që i shfrytëzon bashkë me parkimet. Unë doja një njeri që t’u rrinte ustallarëve në kokë për punimet se unë veja dhe vija në shtetin grek edhe për punë edhe nga ana shëndetësore se jam invalid”.
Befas kur kthehet, sheh që 11 hyrjeve u ishin ndërruar bravat. Në këtë moment nisi konflikti.
“Kishin ndërruar bravat të gjitha. Këtë moment që flasim nuk kam asnjë çelës. Shfrytëzoi faktin që unë mungoja dhe kishin ardhur në mes të natës. Bam derës, bum. Duan të më kërcënojnë, të më bëjnë presion”, tha Nika.
Leon Kodra pretendon, se Thanasi i ka premtuar, se do ia jepte atij.
Denoncuesi Thanas Nika: Çfarë do ti nga unë, që ta mbyllim këtë punë? Si do të bëhet?
Leon Kodra: Kam edhe unë atë, djersën time, pak a shumë.
Denoncuesi Thanas Nika: Unë të flas si pronari i pronës.
Leon Kodra: Shumë bukur! Unë nuk e vë në dyshim pronën.
Denoncuesi Thanas Nika: Po ti i ke thënë ( një miku) edhe atij, që po të të jap unë një hyrje, ikën.
Leon Kodra: Po, i thashë. Shpenzimi, të gjitha, unë po i zë me treg shitje. Të marr hakun e punës. Kam punuar.
Denoncuesi Thanas Nika: Fol mirë, se me paratë e mia i bëmë të tëra, derisa më vodhe edhe 20 000 euro këtu brenda në shtëpi.
Leon Kodra: Nuk ia vlen të diskutojmë!
Denoncuesi Thanas Nika: Unë dua, që të më lirosh hyrjet! Më ke zaptuar 11 hyrje dhe 6 parkime dhe është viti i katërt, që nuk më ke dhënë asnjë qindarkë.
Leon Kodra: Më shlyej materialet, që kam vendosur dhe jemi në rregull!
Denoncuesi Thanas Nika: Cilat materiale?
Leon Kodra: Materialet, që kam vendosur unë!
Denoncuesi Thanas Nika: Ku i ke vendosur?
Leon Kodra: Çdo gjë, që është brenda aty!
Denoncuesi Thanas Nika: Ua! Po me paratë e mia! Ku i gjete paratë? Ti, kur erdhe, nuk ngopeshe me bukë. Për një copë bukë erdhe.
Leon Kodra: T’i lëmë këto muhabete, se nuk flasim dot nëpër telefona!
Kodra thotë se ka shpenzuar duke mobiluar hyrjet dhe kërkon shpërblim. Mes tyre nuk ekziston asnjë marrëveshje shkresore ligjore.
Leon Kodra: “Unë s’kam njeri, më kanë braktisur fëmijët, më kanë ngrënë këta, ma kanë futur këta..” Epo, 70 e ca vjeç, në rregull. Dhe më thotë, se kam këto, jetoj në Greqi. “Djalë, -më tha mua atëherë, -unë do iki nga Greqia, do ta lë Greqinë, meqë jemi, do rrimë bashkë, do rrimë bashkë. Gjer në vdekje? Gjer në vdekje. “Më tha, që të gjitha do të t’i lë ty”. Fillova me mobilimin e hyrjeve. Më ka dhënë 1 milion, 2 milionë, hajd’ po të them 6-7 milionë.
Gazetari: Çfarë ju detyrohet z.Thanas për këtë punë, që ju keni bërë, sipas një kontrate, që ka qenë gojore, asgjë e shkruar?
Leon Kodra: Po! Është kontratë…në rregull. Vlerën e materialeve, që janë hedhur brenda, t’i vlerësojë një vlerësues mor vëlla, nuk bëj unë abuzime. T’i vlerësojë një njeri, të më japë edhe vlerën mua, se unë jam edhe me borxhe! Nuk mund të futet njeri, se m’i prish objektet, m’i vjedhin!
Gazetari: Si do ta zgjidhni këtë konflikt në fund?
Leon Kodra: Të bëhet vlerësimi i materialeve dhe të më dëmshpërblejë mua!
Gazetari: Z.Kodra, ju i keni zaptuar këto hyrje dhe është e paligjshme.
Leon Kodra: Zaptim quhet, kur unë kam hyrë pa lejen e tjetrit.
Prokurori thotë, se çështja ka natyrë civile duke e drejtuar qytetarin në Gjykatën Civile.
“I jam drejtuar edhe prokurorisë, edhe policisë, edhe gykatës, nuk bënë asgjë” tha Thanas Nika.
Nëpërmjet një kërkese zyrtare Stop i ka kërkuar të dijë të marrë informacion për mosfillimin e procedimit dhe përse ai nuk i është referuar neneve për vetëgjyqësinë dhe nenit për dhunimin e banesës.
Gazetari: Z.prokuror, si je?
Prokurori Ilir Hoxha: Mirëmëngjes! Si jeni ju?
Gazetari: Mund të takohemi vetëm një sekondë?
Prokurori Ilir Hoxha: Jo! Vetëm me prokurorin e shtypit! Faleminderit!
Gazetari: Të lutem! Mundem?
Në përgjigjen e prokurorisë së Sarandës shmanget përgjigja për dy pyetjet e “Stop”. Prokurori Ilir Hoxha thotë se denoncuesi nuk ka bërë ankimim dhe për këtë arsye e ka çuar në gjykatë civile dhe jo penale.