Manja paralajmëron tjetër aksion te Kadastra e Sarandës: Asnjë zyrtar të mos e bëjë gjumin e qetë
Në një konferencë për shtyp, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka paralajmëruar një tjetër aksion në zyrat e Kadastrës në vend. Deklarata e ministrit vjen një ditë pas operacionit në Kadastrën e Sarandës, ku u vunë në pranga katër zyrtarë.
Manja falënderoi qytetarët për denoncimet, ndërsa tha se asnjë zyrtar nuk duhet ta bëjë gjumin e qetë. Pa dhënë shumë detaje, ministri tha se ka një super proces siç e quajti ai, ku po hetohet për abuzimet me pronat kryesisht në bregdet. Manja theksoi se hetimi është i shtrirë në një kohë të gjatë dhe janë të përfshirë zyrtarë dhe ish zyrtarë.
“Asnjë zyrtar dhe ish zyrtar abuzues me detyrën nuk duhet të ndjehet si sigurt dhe ta bëjnë gjumin e qetë. Dua të falënderoj qytetarët që denoncojnë. Aksioni i djeshëm erdhi pas denoncimit të një qytetari.
Denoncimet nuk duhet ti bëjnë pasia ata nuk zgjidhin hall por menjëherë pasi zyrtarët i shtyjnë në korrupsion. Nuk kemi mbaruar punë as me Kadastrën e Sarandë dhe as në të gjitha zyrat. Ka në proces një super hetim me të gjitha abuzimet me fokus të veçantë bregdetin. Dosja që shtrihet në kohë, kam parasysh jo ve3tëm periudhën e qeverisjes tonë, por që në momentet kur kanë filluar abuzimet me pronën. Në këtë hetim përfshihen zyrtarë dhe ish zyrtarë të Kadastrës. pas përfundimit të këtij hetimi rezultatet konkrete do të jenë në duart e SPAK.
Dua të jem i qartë ne emër të qeverisë e them sot çdo abuzues me pronën pavarësisht gradës që mban, çdo nënpunës që ofron një shërbim publik ndaj qytetarëve, do të përgjigjet dhe do të përballet me forcën e ligjit”, tha Manja.