Ministria e Financave: Pensionet në shtëpi për ata që nuk e tërheqin në bankë
Një nga problemet më të mëdha për pensionistët në këto ditë ka qenë tërheqja e pensionit, që shpesh herë ka gjeneruar edhe radhë të rrezikshme në një kohë ku distancimi social mbetet mbrojtja e vetme kundër koronavirusit.
Për të lehtësuar situatën, Ministria e Financave ka deklaruar sot se falë bashkëpunimit me Shoqatën e Bankave po shihet mundësia që personave që nuk mund ta tërheqin në bankë, t’i dërgohet në banesat e tyre.
Shërbimi parashikohet pa kosto shtesë për pensionistët, dhe Ministria i bën thirrje personave të interesuar për këtë shërbim të komunikojnë me bankat e tyre, për të organizuar shpërndarjen.
Ndërkohë, specifikohet se ka vijuar normalisht shpërndarja e pensioneve nëpërmjet Postës Shqiptare.